VLERËSIMI I NGJARJEVE DHE NDERIMI I PERSONALITETEVE KËRKON KUJDES TË VEÇANTË NGA UNIVERSITETI

22
Dec
2023
Shkruan: Akademik Abdulla Mehmeti

Reflekse Me shkas,
në 29-vjetorin e hapjes solemne dhe fillimit të punës së Universitetit të Tetovës
Nuk do të kishte nder më të madh për Universitetin e Tetovës, nëse udhëheqësit e sotëm të këtij institucioni të parë të arsimit universitar në gjuhën shqipe në Maqedoni, e kthejnë kryen nga e kaluara, jo vetëm duke përmendur sukseset dhe të arriturat e sotme, por edhe duke e vlerësuar kontributin dhe sakrificën e atyre që e lindën dhe e rritën, e mbrojtën dhe afirmuan këtë Universitetit në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, që i dhanë frymë e jetë këtij tempulli me të cilin sot krenohen të gjithë shqiptarët.
Janë disa personalitete të shquar, kontributi i të cilëve duhet të vlerësohet, në mos me mirënjohje e çmime siç e meritojnë dhe siç veprohet kudo në botën e qytetëruar, së paku emrat dhe kontributi i tyre nuk duhet të harrohen asnjëherë, si Joseph DioGuardi, Benjamin Gilmani, Eliot Engel e shumë të tjerë, shqiptarë dhe amerikanë, të cilët kanë qenë përkrah Universitetit të Tetovës në kohët më të vështira.
Pranimi i parë zyrtar i drejtuesve të Universitetit të Tetovës nuk ka ndodhur në Shkup apo diku tjetër, por në Nju Jork e Uashington, kurse Qeveria e SHBA-ve që në vitin e parë të punës së këtij universiteti ia ka bërë me dije pushtetit të atëhershëm jodemokratik dhe represiv të Maqedonisë, edhe përmes një Rezolute dhe akteve diplomatike, që t’i mbajnë larg duart nga ky Universitet dhe drejtuesit e tij.
Do të ishte tepër njerëzore dhe qytetëruese, drejtuesit e sotëm e të ardhshëm të këtij Universiteti, sa janë gjallë disa, ta vlerësojnë punën dhe angazhimin e tyre, sepse askush nuk mund ta dijë më mirë se etërit e këtij institucioni, kush, kur dhe si ia ka lidhur kërthizën dhe kush e si e ka pagëzuar e bekuar me përjetësi ekzistencën e këtij tempulli të dijes, i cili është dhe do të mbetet emër i shenjtë në historinë e arsimit kombëtar të shqiptarëve dhe në përgjithësi në historinë më të re të popullit shqiptar, si projekt kombëtar më i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët në Maqedoni në shekullin që e lamë pas.
Ka mes këtyre personaliteteve, të cilët janë gjallë dhe ata meritojnë të përmenden me respekt, duke i hequr veset tona, të presim vdekjen e dikujt dhe më pastaj ta përkujtojmë e nderojmë.
Edhe nga drejtuesit e parë të këtij Universiteti, ende janë gjallë e shëndoshë, ish-rektorë e prorektorë, dekanë e prodekanë, drejtues të tjerë, nga ata që kanë hedhur firmën në aktet e para (historike) të këtij Universiteti, emrat, veprat dhe puna e të cilëve janë gurët e themelit të këtij tempulli, që i kanë dhënë dritë përjetësie arsimit universitar në gjuhën amtare me Universitetin e Tetovës.
Së paku në përvjetorët më të rëndësishëm të këtij Universiteti, që i ka plot ky institucion me vlera historike e kombëtare, duhet të ndryshohet qasja ndaj personaliteteve që meritojnë nderim e respekt, shumë më tepër se nderimi i panevojshëm i disa figurave politike, sa herë ata të vinë e shkojnë nga pushteti, madje edhe nderimi i personave fare të parëndësishëm për çështjen e arsimit universitar, si shoferët e truprojat e pushtetarëve aktualë, të cilët asgjë nuk i lidh me arsimin universitare, me dijen, shkencën dhe botën akademike, aq më pak me historinë e lavdishme të këtij Universiteti, që të zënë vend në ulëset e para në shënimin e këtyre përvjetorëve, siç ka ndodhur në periudhat e mëhershme.
Universitetet, kudo në botë, janë vatra që reflektojnë dritë mirësie, dije e mençurie, si të tillë duhet të jenë shembull për brezat e sotëm e të ardhshëm, duke qëndruar sa më larg politikës së përkohshme dhe interesave personale e grupore, sepse vetëm kështu na jepet e drejta t’i përmendim fjalët “shenjtëri”, “atdhetari” dhe “tempull i shenjtë i dijes”, nëse vërtet duam ta shenjtërojmë këtë vatër të arsimit dhe shkencës me vepra të tilla, për të qenë shembull në vazhdimësi të rrjedhave pozitive të historisë sonë.
Çfarë shembulli të mirë mund të kemi dhënë në Universitetin e Tetovës, kur pjesa më e madhe e personaliteteve që janë nderuar me mirënjohje dhe sidomos me titullin e madh: Doktor Nderi i Shkencave i Universitetit të Tetovës (Doctor Honoris Causa), kanë qenë personalitete nga sfera e politikës, jo nga fusha e arsimit dhe shkencës. Politikanët e mirë duhet të nderohen në forma të tjera dhe nga institucione të tjera, jo nga institucionet arsimore e shkencore, për fushën që disa prej tyre nuk kanë dhënë as kontributin më të vogël. Edhe më keq se kaq, kur ata nderohen pa kritere vlerësimi. Dhe, kur ata përfundojnë në Listat e Zeza, ose gjykohen nga drejtësia ndërkombëtare për krime të rënda e tradhti ndaj kombit e vendit të tyre, sipas rregullave për ndarjen e këtij çmimi prestigjioz, ky titull duhet t’u anulohet (merret) nga institucioni që ua ka dhënë atë. Kjo e vendos Universitetin në pozitë të palakmueshme dhe nuk i bën nder atij dhe as drejtuesve të tij, të mëparshëm dhe të sotëm. Prandaj, duhet shumë kujdes në vlerësimin e personaliteteve publike, sidomos kur ata janë figura politike. Edhe kur ata janë nga fusha e arsimit dhe shkencës, nuk e nderojnë një universitet prestigjioz figurat me të kaluar të papastër, për të cilët nesër mund të dalin dëshmi se kanë qenë në anën e gabuar të historisë dhe e kanë dëmtuar çështjen kombëtare dhe interesat e vendit, sigurisht edhe çështjen e arsimit, me punën dhe veprimet e tyre johumane dhe djallëzore gjatë regjimeve të mëhershme jodemokratike, obskurantiste dhe shtypëse.
(19 dhjetor 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk