Kur flasim e shkruajmë për VORBICËN – vendbanim I dikurshëm rustikanë, kemi parasysh të dhënat mikrotoponimike që na japin banorët e sotëm (të zonës së Tearcës: Tearcë, Përshevcë e Gllogjë), të cilët, njërën tërësi e quajnë: V o r b i c’ e M a dh e, ndërsa tjetrën: V o r b i c’ e Vogël. Këto emërtime segregative apo të ndara që I ndeshim sot, në mesjetë na dalin vetëm si një vendbanim – vetëm si: Vorbicë, bile në Dokumentet turke të shek. XV është i shkruar edhe si: Vërbnicë, madje edhe: Virbicë(a). Në punën e deritanishme kërkimore, (duke u bazuar në gojëdhënat e banorëve rezidentë), ende nuk kam arritur të kuptoj se për ç’arsye njëra quhet “… e Vogël” e tjetra “… e Madhe”. Ndoshta këto emërtime do të kenë të bëjnë me përcaktorin e numrit të banorëve (me më pak banorë: Vorbic’e Vogël, me më shumë banorë: Vorbic’e Madhe). Kjo ndarje, siç shihet rezulton kështu edhe nga dëshmitë e kohës, të cilëve do t’u referohemi në vazhdim. Kështu, në: Defterët Turk (Turski dokumenti – Opshiren popisen defter Nr.4 (1467 – 1468), Shkup, 1971, fq. 323) hasim: Malo Vërbiçe, madje – në Monografinë për Tearcën (të autorit, Zdrevko Serafimovski – Zeus, në faqen 48, kur jep pasqyrën tabelare të Tearcës (nga shekulli XV), në vitin 1452-53 paraqet të dhënat si vijojnë: Vrbica ka 26 familje (25 kristiane dhe 1 myslimane), për të vazhduar në (faqen 49), në tabelën nga shekulli XVI , përkatësisht në vitin 1545: Vrbica Golema, përkatësisht: Vërbica e Madhe me 19 familje: 17 familje kristiane dhe 2 familje myslimane, e, në vitin 1568, gjithashtu e ndeshim si: Vrbica Golema ose Vërbica e Madhe – me 8 familje: 6 kristiane dhe 2 myslimane.
Më së pari të shohim me çfarë “indikatorësh” paraqitet ky lokacion sot dhe, si është paraqitur ai në dokumentet e kohës:
VORBICA (Vorbic’e Vogël) sot është vend me livadhe dhe ara në Rrafshin e Pollogut, në atarin e fshatit Tearcë, ku e “prek” edhe sinori i Përlibishtit. Në të kaluarën ky lokalitet ka qenë fshat me emrin Vorbic’ e Vogël (sllavisht: Малa Врбица). E, për ata që duan të dinë diç më në hollësi, u sugjerojmë shfletimin e të ashtuquajturve: Defterë Turk (“Turski dokumenti” – Opshiren popisen defter Nr.4 (1467 – 1468), Shkup, 1971, fq. 323).
Në këto dokumente, kështu është i regjistruar ky vendbanim i dikurshëm: 12 familje, 1 i pamartuar,1 vejan e, gjithsejt 12., prej të cilëve: 1. Bogdani, i biri i D(h)imitrit; 2. Prodani, i biri i tij; 3. Jovani, i biri i Dabes; 4.Pomenka, fukaraja; 5.Milloshi, i biri i tij; 6.Nikolla,i biri i Stanishit; 7. Rade, i biri i Stanishit; 8.Todori, i biri i Stanishit; 9. Stefani, i biri i Dabizhivit; 10. Stefani, fukaraja; 11. Gjura, fukaraja; 12. Vejanja, Dujka.
Pasuria dhe ekonomia e këtij vendbanimi, ashtu si thuan dokumentet, është: Grurë, barrë 30 (600); Elb, etj. barrë 20 (450); lin ( 20); tatim për bostan (20); ushur për koshere (30); tatim për derra dhe mëndafsh (20); nijabet dhe dasmë (20); tatim për mulli (60); ispenxhe (300); Gjithsejt: 1520.
Përkundër të dhënave të të njëjtëve Defterë të viti 1467-1468 që përmendëm mësipër, në faqen 390 fshatin e shkrimit tonë e gjejmë si vendbanim të ndarë. Përderisa në faqen 323 e gjejmë si tërësi apo fshat: Malo Vrbiçe, këtu e hasim: Fshati: Vrbica me referencë numër 144 ku thuhet e shpjegohet: “Në Defter është i shkruar Vrbnica, kurse në Nr. 12 Virbica. Nuk është i identifikuar.”
Këtu, me këtë rast paraqitet me këto parametra: 35 familje, 2 të pamartuar, 7 vejanë, gjithsejt 44. Edhe atë: Prodani, i biri i Elenit, Totka i biri i Prodanit, Jovan i biri i Mirkos, Dabizhiv, i biri i Bogdanit; Ratçe vëllai i tij; Dragosllavi vëllai i tij; V’llkashin, i biri i Rades; Prifti Rajço; Rale, i biri i Rajkos; Oliveri, vëllai i tij; Totka , i biri i Rades; Rale Nenço; Jovani, vëllai i Nikollës; Rajko, i biri i Rades; Nikolla, i biri i Stanishit; Dabizhiv, vëllai i tij; Dançull, vëllai i Nikollës; Bogdani, lopar; Pejo, dhëndrri i Shishmanit; Velçe, i biri i D(h)imitrit; Velisha, i biri i Smiles; Dabe, i biri i Mirkos; Bozhidari fukaraje; D(h)imitri, i biri i Bozhidarit; T(h)eodori, i biri i Draginit; Nikolla, vëllai i tij; Aleksa, vëllai i tij; Jovani, i biri i D(h)imitrit; Pejo, i biri i D(h)imitrit; Nikolla, i biri i Dujkos; Pejo, i biri i Dujkos; Petri, lopari; Pejo, i biri i Diços; vejanja Stajka; vejanja Mara; vejanja Dafina; vejanja Helena, vejanja Rasha; vejanja Rada; vejanja Radosllava.
Me paraqitjen e kryefamiljarëve që kanë përbërë këtë katund (gjithnjë sipas të dhënave statistikore që kemi përmendur më lartë), me rëndësi të veçantë është të cekim edhe pasurinë dhe ekonominë e këtij vendbanimi, ku paraqitet: Grurë, 50 barrë (1000); Elb etj. 40 barrë (600); Ushur nga leni (60); Taksë nga derrat (49); Ushur nga kosheret; (13); Taksë nga mullinjtë (30); Ushur nga perimet (10); Tatim nga dasmat dhe nijabet (100); Tatim për bostan (32); Ispenxhe (1024; Gjithsejt: 2918
Nga të dhënat e azhurnuara në Dokumente që shkruajnë për këtë apo këto vendbanime na shpërfaqen shumë ngatërresa (sipas përmasave tona induktive):
1.Në rregjistrimin e vitit 1452-53 përmendet vetëm si: Vrbica (as e madhe as e vogël, S.E.) – me 26 familje.
2.Në regjistrimin e vitit 1467-68 na del si: Vrbica me 35 familje, edhe Vrbica e Vogël me 12 familje, por edhe Vrbica e Madhe me 58 familje.
3.Në evidentimet regjistruese të vitit 1545 e hasim të paraqitur vetëm si: Vrbica e Madhe me 19 familje (17 të krishtera dhe 2 myslimane).
Sido që të kenë qenë, këto të dhëna që kanë pllakosur mbi këtë lokalitet të dikurshëm(apo këto lokalitete, që na dalin herë: Vrbica, herë Vrbica e Vogël e herë Vrbica e Madhe), sot kjo “shtjellë” akoma po vazhdon. Kështu, Vorbica rezulton në një vend me ara lavërtare në atarin e Tearcës, në Pollog – që gjendet mbi vijën hekurudhore: Shkup-Kërçovë, në kilometrin e 10 të anës verilindore të Tetovës. S’do mend që, këtu me siguri se kanë ekzistuar vendbanime apo lokalitete mesjetare me emërtimet që i përmendëm. Por ne në vazhdim do të fokusohemi te lokaliteti i quajtur: Vorbic’e Madhe (sllavisht: Голема Врбица) të vitit 1468, ku fshati ka numëruar 58 familje, dy shenjtorë dhe një mulli. Kurse në “Defterët…” e mëvonshëm (1568), d.m.th. pas njëqind vitesh, shënohet se: “Raja e fshatit Vërbicë e Madhe shpërngulet dhe, tokën e punojnë banorët e fshatit Përshevcë, Otushishtë, Tearcë, Brodec (Jegunovca e sotme) dhe Podbreg. Sipas këtyre të dhënave, fshati është shpërngulë në vitet 1550-1560. Shkaqet e shpërnguljes nuk na janë të njohura, por lokaliteti është i identifikuar dhe piketuar. Ai ka qenë ndërmjet atareve të sotëm të fshatrave: Tearcë, Përshevcë dhe Otushishtë, më saktë -në të majtë të vijës hekurudhore: Tetovë – Shkup, në vendin Te Stacioni Hekurudhor: “Tearca”. Vendi ende quhet Vorbica – sipas emrit të fshatit të lartëpërmendur. Vendasit e distriktit të këtyre fshatrave, nuk dijnë ndonjë legjendë për lokalitetin që përmendëm, por gjatë punimit të tokës hasin në themele shtëpish, (kishash e varresh), enë qeramike, tulla etj.
Në vitin 1568 f.Vorbic’ e Madhe rezulton i shpërngulur, kurse Vorbica e Vogël shtohet në 44 familje, 8 mullinj dhe 8 dërstila. Këto dy fshatra kanë qenë afër njëri me tjetrin. Sot fshat me këtë emër në Pollog nuk ekziston, por sipas emrit të këtij toponimi rural, me siguri mund ta obdikojmë (piketojmë) në këtë vend. Kështu, në këtë nebulozë të dhënash, po e mbylli këtë shkrim, me shpresë se një ditë specialistë të fushave kompetente (arkeologë, historianë, antropologë etj.) do ta nxjerrin në dritë këtë mister.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!