Teoria e “Vorio Epirit” u formulua për herë të parë në mënyrë të qartë gjatë Luftërave Ballkanike (1912-1913), kur qarqe politike dhe ushtarake greke filluan ta përdorin termin për të justifikuar pretendimin territorial mbi jugun e Shqipërisë pas tërheqjes osmane. Ajo u institucionalizua më tej në vitin 1914, me shpalljen e të ashtuquajturës “Republika Autonome e Epirit të Veriut” nga Georgios Christakis-Zografos, i mbështetur nga elementë politikë dhe ushtarakë grekë. Pra “Vorio Epiri” është konstrukt politik modern, jo koncept historik i vazhdueshëm nga antikiteti apo mesjeta. Kjo teori ishte i prodhim i një gjeografie politike dhe ideologjike asimiluese.
Por, edhe pse kanë kaluar 81 vjet, profesorë të Universitetit të Athinës, me tituj shkencorë, e vlerësojnë këtë si një fakt real dhe përpiqen ta paraqesin si një të vërtetë, duke synuar t’i mbushin mendjen opinionit publik se kanë të drejtë.
Ndërsa Akademia jonë e Shkencave ka heshtur dhe vazhdon të heshtë, duke mos u kundërvënë shkencërisht autorëve të këtij universiteti. Ka pasur vetëm një reagim nga profesor Kristo Frashëri në një gazetë të përditshme shqiptare, me emër personal. Por institucioni hesht, me një heshtje të pashpjegueshme.
_________
Në një studim të ekipit të Universitetit të Athinës u botua më 1995 libri “O Helenizmos tis Allvanias”. Një grup i këtij ekipi të gjerë, i përbërë nga 9 studiues ) ndër to (Thanas Vetemos, Theodhori Kullumbi dhe Ilia Nikollopullo), përcaktuan tre vija të përhapjes së “Vorio Epirit” në territoret shqiptare: Së pari, një vijë në lumin Shkumbin, ku ndahen gegët me toskët; kjo vijë përputhet me kufirin verior të ndikimit të Kishës Ortodokse. Së dyti, një vijë në jug të aksit Vlorë-Berat-Pogradec. Ndërsa vijën e tretë e vendosin në jug të lumit Vjosa, e cila koincidon me hapësirën gjeografike -ku sipas tyre,- u përfaqësua minoriteti grek në vitet 90.
Botimi kolektiv Ο Ελληνισμός της Αλβανίας (Athinë, 1995), i redaktuar nga një treshe editoriale e lidhur me mjedisin akademik të Athinës (Th. Veremis, Th. Kouloumbis, I. Nikolakopoulos), përfaqëson një ndër përpjekjet më të hershme të periudhës post-1990 për ta sistemuar “çështjen e helenizmit në Shqipëri” në një format që ndërthur historinë, demografinë, institucionet, arsimin, median dhe diskursin e të drejtave. Në vetvete, ky është një objekt studimi me interes, jo vetëm për atë që pretendon, por sidomos për mënyrën se si ndërton kategori, kufij dhe prova “të pranueshme” për një narrativë kombëtare.
Një nga pjeset më domethënëse në këtë vëllim është paraqitja e tre “variantëve” të shtrirjes gjeografike të asaj që quhet “Vorio Epir” (Shkumbin; Vlorë-Berat-Pogradec dhe Vjosë). Në pamje të parë, kjo triadë paraqitet si tipologji “teknike”, por në thelb ajo funksionon si një shkallëzim politik: nga varianti maksimalist irredentist te varianti minimalist që afron me zonat e njohura të minoritetit. Ky mekanizëm prodhon një efekt të rrezikshëm: e bën dukshëm të diskutueshëm dhe “normal” konceptin e vet, sikur problemi të jetë vetëm “ku ta vëmë vijën”, jo nëse vetë koncepti është i ligjshëm shkencërisht dhe etikisht.
1) Kritika metodologjike e variantit “Shkumbin”: irredentizëm i veshur me gjuhë “shkencore”
Varianti i Shkumbinit është shembulli klasik i një gjeografie nacionaliste që kërkon legjitimitet duke huazuar indikatorë kulturorë të përgjithshëm (ndarje dialektore gegë-toskë; hapësira e ortodoksisë) dhe duke i shndërruar në kufij politikë.
Ky është gabim metodologjik i tipit konfuzion kategori-shkak: fakti që një lumë mund të korrespondojë me ndarje të caktuara dialektore ose tradita fetare, nuk e bën atë kufi “etnik” apo kufi “kombëtar” (madje as “kufij identitetesh”). Ky është esencializëm: supozon se feja (ortodoksia) prodhon automatikisht kombësinë greke, ose se dialekti prodhon automatikisht një identitet territorial të paracaktuar.
Edhe brenda literaturës greke për nacionalizmin, vetë logjika e “Megali Idea”-s dhe e projektimit të popullsive ortodokse si “grekë potencialë” është trajtuar si mekanizëm ideologjik i shek. XIX. Prandaj, varianti “Shkumbin” nuk duhet lexuar si alternativë “shkencore”, por si trashëgimi e një programi politik, i ripaketuar në një studim që kërkon autoritet akademik.
2) Kritika metodologjike e variantit “Vlorë-Berat-Pogradec”: zhvendosje e standardit të provës
Varianti i dytë, që pranon kufirin “grosso modo” në jug të vijës Vlorë-Berat-Pogradec, e zhvendos argumentin nga pretendimi maksimalist te pretendimi “kulturor”. Këtu bëhet një manovër tipike: kur prova demografike nuk e mban dot një pretendim territorial, pretendimi riformulohet si “prani grupesh homogjene helene” por “jo gjithnjë dominuese demografikisht”.
Ky formulim është problematik për tri arsye:
a. Fjala “homogjene” bëhet e dyshimtë nëse në të njëjtën fjali pranohet se nuk janë dominuese; “homogjeniteti” nuk mund të jetë sinonim i “pranisë së disa komuniteteve”.
b. Këtu përdoret shpesh ekuacioni ortodoksi = helenizëm, i cili në Ballkan është historikisht i rrezikshëm, sepse i shndërron identitetet fetare të popullsive shqiptare (ortodokse) në material të “përvetësueshëm” etnik.
c. Kjo qasje krijon një standard provash të rrëshqitshëm: nëse shumica demografike mungon, atëherë mjafton “trashëgimia kulturore”, “rrjetet e kishës”, “arsimi”, “gjuha e liturgjisë”, etj.- pra prova që janë më lehtë të interpretuara ideologjikisht.
3) Varianti “Vjosa”: një minimalizëm por dhe ky i ideollogjizuar
Varianti i tretë, që e vendos vijën në jug të Vjosës dhe e lidh me hapësirën ku pretendohet se është përfaqësuar minoriteti grek. Por edhe këtu problemi bazë mbetet: koncepti “Vorio Epir” nuk është term neutral gjeografik; është term politik i prodhuar në një konflikt për kufij e sovranitet pas krijimit të shtetit shqiptar. Për rrjedhojë, edhe një variant që duket me “i moderuar” mund të shërbejë si platformë për të normalizuar një emërtim politik që synon një status të veçantë territorial, siç është pjesa në jug të Vjoses për pretendime territorjale.
Këtë e pranon qartë edhe një zë kritik brenda diskutimit grek: Alexios Heraclidis qe e përshkruan qasjen e teorisë “vorioepirote” si pretendim territorial të fillimshekullit XX, ku shpesh fryhen shifrat duke i futur “të gjithë ortodoksët” në të njëjtën kategori etnike. Pra, edhe kur “vija” bëhet më e ngushtë, problemi i përzierjes së fesë me etninë dhe i teleologjisë territoriale mbetet.
4).Krahasim me historiografinë shqiptare: qasje institucionale vs. gjeografi pretendimesh
Historiografia shqiptare (sidomos ajo e institucionalizuar në rrethin e Institutit të Historisë / Akademisë së Shkencave dhe periodikut Studime Historike) e trajton “Vorio Epirin” kryesisht si termi politik i një pretendimi, jo si një njësi historiko-gjeografike “e natyrshme”.
Qasja shqiptare tenton të insistojë në: dallimin midis identitetit fetar dhe identitetit etnik; rolin e vendimeve ndërkombëtare dhe të administrimeve të shek. XX në përcaktimin e statusit të minoriteteve; rrezikun e përdorimit të statistikave të paqarta dhe të klasifikimeve “kolektive” (p.sh. “ortodoks = grek”).
Një element domethënës në dialogun historiografik greko-shqiptar është edhe fakti që vetë publiku grek ka pasur akses te përfundimet e historianëve shqiptarë përmes botimeve të përkthyera dhe të recensuara në studime ballkanike (p.sh. vlerësimi i një botimi të Pollo-Puto- në Balkan Studies).
Kjo tregon se nuk mungon vetëm “njohja”, por shpesh mungon vullneti për të pranuar standarde të njëjta provash kur preken temat e identitetit dhe kufijve. Me fjalë të tjera: aty ku historiografia shqiptare kërkon të ruajë dallimin midis shtetit, fesë, gjuhës dhe vetëdeklarimit, tri “vijat” e një konceptimi si “Vorio Epir” funksionojnë si instrumente për t’i shkrirë këto dallime, në shërbim të një qasje të njohur nacionaliste.
5). Lista e studiuesve grekë: mbështetës (në kuptimin e normalizimit të konceptit) dhe kritikë ndaj tyre.
A) Autorë/kontributorë që e përdorin dhe e normalizojnë kornizën “Vorio Epir / helenizëm i Shqipërisë” në botimin e 1995
Këta nuk janë domosdoshmërisht “irredentistë” në të njëjtën masë, por në plan metodologjik e pranojnë kornizën dhe punojnë brenda saj:
Thanos Veremis (hyrje / kornizë historike dhe pretendime)
Leonidas Kallivretakis (historiko-gjeografi dhe demografi). Marina Vihou, Dimosthenis Dodos, Panagiotis Kafetzis, Ilias Nikolakopoulos (prania politike e minoritetit) Antonis Kontis (ekonomia dhe minoriteti). Stamatis Georgoulis (ortodoksia dhe shkollat). Leonidas Kanellos (media). Nikos Ziogas (të drejta të njeriut dhe minoritare). (Shënim: identifikimi i kapitujve dhe autorëve del qartë në përmbajtjet bibliografike të botimit).
B) Zëra kritikë në hapësirën akademike /publike greke (kundërshtues të qasjes nacionaliste)
Alexios Heraclidis, i cili e quan çështjen “të mbyllur” dhe denoncon logjikën e fryrjes demografike përmes bashkimit të ortodoksëve nën një etiketë etnike.
Autorë të studimeve mbi nacionalizmin grek dhe “Megali Idea”, që e shpjegojnë projektin si program ideologjik historik
(p.sh. Elli Skopetea në literaturën e cituar nga punime universitare). Punime që trajtojnë përhapjen e nacionalizmit grek dhe mekanizmat e tij në rajone jo-helenofone (p.sh. materiale studimore ku diskutohet zgjerimi i pretendimeve deri te Shkumbini në kontekstin e “Megali Idea”).
Kjo listë nuk e shteron debatin grek, por mjafton për të provuar se “tri vijat” nuk janë një “konsensus shkencor”, por një produkt i një tradite politike, i cili brenda vetë Greqisë ka kundërshtime.
5). Përfundim kritik: “tri vijat” janë të papranueshme si metodë shkencore
“Tri vijat” janë, në thelb, një teknikë e prodhimit të legjitimitetit: (1) nxjerr një pretendim maksimalist, (2) e zbut me një kompromis kulturor, (3) e mbyll me një minimalizëm demografik-dhe në fund e paraqet si në dukje si “debati i arsyeshëm” rreth kufijve. Por kjo është retorikë, jo metodë.
Në terma të rreptë shkencorë, problemi nuk është se “nuk dinë ku ta vënë vijën”; problemi është se vetë kategoria “Vorio Epir” është një teori nacionaliste e shpikur për pretendime territoriale e në këtë përdorim është e ngarkuar politikisht dhe i shërben një tradite që ka synuar ta trajtojë jugun e Shqipërisë si hapësirë “të diskutueshme” sovraniteti shqiptar.
Prandaj, çdo qasje që ngatërron fenë me etninë, dhe çdo hartë që e trajton ortodoksinë si provë kombësie, nuk është thjesht gabim akademik: është instrumentalizim dhe shtrembërim i historisë,që shkon në funksion të qëllimeve të organizatave nacionaliste greke dhe ligjerimi nga një institucion shkencor si universiteti i Athinës nuk i shërben të vertetes historike paqes dhe stabilitetit në rajon.
Me të drejtë lind pyetja: pse Akademia jonë e Shkencave nuk i ka bërë asnjë kundërvënie me titull këtij studimi famëkeq të Universitetit të Athinës dhe librit të tij, botuar në vitin 1995? Vetëm një reagim ka pasur nga akademik Kristo Frashëri, nën titullin përkatës në një gazetë të përditshme shqiptare është i pamjaftueshëm…!
______________________
Biblografia:
1.Ο Ελληνισμός της Αλβανίας, επιμ. Θάνος Βερέμης, Θεόδωρος Α. Κουλουμπής, Ηλίας Νικολακόπουλος (Αθήνα: Ι. Σιδέρης, 1995),
2.Elli Skopetea, Το «πρότυπο βασίλειο» και η Μεγάλη Ιδέα (1988)
3.Studime Historike (periodik i Institutit të Historisë).
4.Basil Kondis (Review Essay)” (recension mbi botimin e Pollo-Puto me bashkëpunëtorë), Balkan Studies (1980)
5.Alexios Heraclidis, intervistë ku theksohet se “βορειοηπειρωτικό… δεν υφίσταται, έχει λήξει”
6.PDF mbi “Όψεις διάδοσης του Ελληνικού εθνικισμού
@ Shenim: Të nderuar lexues! Këtë artikull mund t’a komentoni, është materjal me të gjitha të drejtat e rezervuara. © Kol M. Marku, 2026 . Ripostimi lejohet vetëm me autorësi të plotë. Ndalohet kopjimi pa cituar burimin dhe Autorin.
Kol Marku-Itali
20 /02/ 2026