ZË NGA ERRËSIRA

20
Jun
2025
Nga: Genci Sefa – Lushnja

✍️ Poezi për të vërtetën që nuk hesht


Jetoj në kohë të zymtë e shterpë,
Ku gënjeshtra vishet me ar,
Ku fjala e drejtë quhet e rreptë,
Dhe idealet shiten në pazar.

Këtu, dhe drita ka zë të mjegullt,
E heshtja sundon si mbretëri,
E qeshura vjen me shpirt të rrëgjuar,
Nga ata që s’kanë mëshirë, as perëndi.

S’ka më nder, as besë, ndër burra,
Mashtrimi bredh me petk kombëtar,
Dikush prej plagësh digjet si furra,
Ndërsa hajduti vishet në ar.

Në burg më futën, jo për faj,
Po pse s’e desha të ligën mbret,
Nuk putha duar, s’u fala prapë,
U ngrita tokës me zë të drejt’.

Më thonë: “Pse flet? Më mirë hesht!”
Po si të hesht, kur shpirti vlon?
Në çdo goditje që më është dhënë,
Një varg i ri, nga gjaku më buron!

Kam parë nën hije miq që treten,
Kam ndjerë në gjoks një thikë pa dorë,
Në emër të paqes, na dogjën shpresën,
E s’lanë të pastër asnjë zë në kor.

Po unë thërras nga errësira,
Me zë të ngjirur, po të fortë;
Se mëkati më s’më bën frikë,
As ferri s’më tremb, as mortë.

Unë jam ai që s’përkulet,
S’duron padrejtësi në heshtje;
Në zemër më zjen e më fryhet,
Zjarri i fjalës që s’ka ndëshkim.

Kur të vijë dita – nëse vjen –
Triumfi i së drejtës shfaqet përtej,
Mos më harroni, se isha unë vetë:
Zëri i errësirës që s’vdes përjetë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!


🖤 Nëse ndjen zërin e të vërtetës,
ndajeni këtë poezi.
Genci Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdheut fizikisht, por i lire në shpirt përjetësisht.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk