Zhargoni fetar në dëm të kombit dhe atdheut

19
Apr
2023

Nga: Beqir Elshani
Lexuesi të nderuar, nëse dëshironi të dini shkallën e kulturës së popullit shqiptar, lexoni komentet emocionuese po aq edhe të dobët të fetarëve në dëm të kombit dhe atdheut. Komentuesit nuk janë të aftë të shprehin mendimin e qartë e konkret, por vetëm shajnë e mallkojnë. Pushtuesin serb nuk e hoqi mallkimi fetar, e hoqi pushka e UÇK-së pa dallime fetare! Sa i përket mbrojtësve të hoxhë Mazllamit, armikut të flamurit kombëtar shqiptar, po ndodhi e na pushton Serbia, hoxhë Mazllamit asgjë nuk do t’i ndodhte, asnjë qime e flokut nuk do t’i mungonte, ndërkaq gazetar Valon Sylën mund ta burgosin, besa edhe ta vrasin. Një shkrimtar francez, mik tradicional i Serbisë, në vitin 1970 Akademinë Serbe e ka kritikuar pse ka lejuar hapjen e Universitetit të Kosovës, jo xhaminë. Në këtë rast, mërgata shqiptare duhet pasur kujdes me kritikat drejtuar gazetarit, Valon Syla! Edhe unë e kam kritikuar Valonin për deklaratën në dëm të mërgatës, siç jam unë i mërguar, mirëpo në rastin e hoxhë Mazllamit, i cili e fyen flamurin kuqezi, duhet të distancohet.
Një komentues shkruan që hoxhë Mazllami nuk ka qejf të takohet me gomarë, i parashtrohet pyetja, se çfarë është pikërisht ai me idhullin e tij – hoxhë Mazllamin. Ky i fundi me përdhosjen e flamurit kuqezi doli armik i mbarë popullit shqiptar. Edhe në Mal të zi ka shqiptarë myslimanë, le të provojnë ta fyejnë flamurin e shtetit, do të shohin se si do ta pësojnë. Në fund parashtroj pyetjen, pse unë si jofetar nuk jam i rrezikshëm për Suedinë Demokratike, ndërsa në Kosovë qenkam i rrezikshëm?! Sa i përket komentuesit që prej zemërimit ndaj gjestit të hoxhë Mazllamit se paska bërë mirë Serbia që në vitet 1900 t’i shpërngulë shqiptarët në Turqi, është plagë e mbarë popullit shqiptar pa dallime fetare. E di që komentuesi e ka thënë nga zemërplasja, por nuk duhet rënë në nivelin e fanatikëve që veprojnë në dëm të kombit dhe atdheut. Fanatizmin e të gjitha feve duhet ta luftojmë të gjithë bashkërisht. Shqiptarët si popull më i vjetër në Evropë duhet të krenohen me prejardhjen e tyre, me gjuhën dhe me traditën autoktone ilire.
Edhe po të jetë koha e feudalizmit, nuk fyhet as nuk shkelet flamuri kombëtar. Prandaj hoxhë Mazllami, që jeton e vepron në kryeqytetin e Shqipërisë Etnike – në Prizren, në të cilin në vitin 1878 është mbajtur Lidhja Shqiptare në krye me Abdyl Frashërin, e ka vendin në burg. Për moshën që ka, duhet folur për mbrojtjen heroike të flamurit kuqezi, kurse ky hoxhë i çmendur fyen flamurin më të vjetër në Evropë. Fyen paganizmin që krahas folklorit të popullit është djep i të gjitha kulturave kombëtare. Flamuri ynë me shqiponjë nuk e sulmoi Turqinë, as Serbinë nuk e sulmoi, por me gjakun e popullit shqiptar e mbrojti vendin me shekuj. Zhargoni i hoxhës ”me arnë e me lecka” është kancer për kulturën kombëtare shqiptare, prandaj dogmatiku fetar vendin e ka në burg dhe largim nga skena e besimit fetar. Me qindra familje prizrenase me atdhedashuri të zjarrtë nën sundimin jugosllav e kanë ruajtur flamurin kuqezi në shtëpitë e tyre, dhe sot del një matrapaz e sulmon flamurin tonë kombëtar. Në cilindo vend tjetër ky hoxhë kanceroz do të arrestohej dhe do të burgosej. Me veprimin e turpshëm që ka bërë në dëm të kombit shqiptar, Mazllami në Perandorinë Turke do të zgjidhej pasha, mirëpo perandoritë e vdekura nuk kthehen më. Biologët suedezë ankohen se disa qytetarë prej vendeve të huaja sjellin bimë kurioziteti që dëmtojnë kulturën bujqësore të vendit, për të cilën duhet marrë masa për mbrojtjen, ngjashëm edhe Kosova duhet ndaluar përhapjen e ekstremizmit fetar.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk