Fshati Zhelinë gjendet 8 km larg qytetit Tetovës në drejtim të Shkupit, në krah të autostradës “Nëna Terezë” Tetovë – Shkup. Nga gojëdhënat thuhet se fillimisht fshati Zhelinë ka qenë në malin Jerebin, por, rreth vitit 1725, është djegur nga pushtuesit osmanë si rrjedhojë e kundërshtimeve të vijueshme ndaj pushtimit të tyre, por arsyeja kryesore ka qenë mospranimi prej tyre konvertimi në fenë islame. Edhe sot e kësaj ditë vazhdon të ketë varreza që kanë shenja të qarta, se atje ka pas vendbanime. Deri vonë kanë ekzistuar edhe themelet e një kishe, të cilës i gjenden edhe sot rrënojat.
Kur fshati u dogj, banorët e tij u vendosën rrëzë Malit Fojnik. Jerebina gjendet në të majtë të magjistrales aktuale dhe Fojniku në të djathtë. Një pjesë e banorëve të tij ikën nga Syriçina, dhe tani ata flasin maqedonisht; disa të tjerë shkuan në fshatrat Stremincë e Collopek. Thuhet se ministri i mbrojtjes maqedonase, L. B, që ishte i dënuar në Hagë për krime lufte më 2001, edhe familja e tij e ka origjinën nga Zhelina. Përsa i përket një pjese tjetër te banorëve të Zhelinës të moshuarit kanë treguar se patën shkuar në drejtim të Shkupit, Grupçinit, Dobercit dhe Llërcit. E keqja është se, ka shumë vite që historianët dhe arkeologët e mirëfilltë nuk kanë bërë kërkime e hulumtime në këto treva.
Në fëmijërinë time nuk kam pasur vështirësi ekonomike, pasi babai im punonte në Gjermani, si rrjedhojë, në njëfarë mënyre nga ana ekonomike jetonim mirë dhe, në këtë drejtim, ndiheshim të lumtur. Por, natyrisht, ishim me mallin dhe brengat e babait që jetonte pa ne, për shkak se ishte në mërgim larg nesh.
Unë jam lindur e rritur në Zhelinë. Pasi mbarova shkollën fillore në Zhelinë, shkova në Gostivar dhe u regjistrova në Shkollën e Mesme Teknike. Në vitin e fundit më ndodhi një rast tragjik. Në fshatin tonë ndodhi një grindje e madhe e cila përfundoi në rrahje me mjete të forta dhe, si pasojë, pati dhe një vdekje. Rasti ndodhi pikërisht te xhamia e fshatit, kur fshatarët të lodhur nga njerëzit e pushtetit (shërbëtorët shqipfolës), të cilët ishin besnikë të sllavëve okupatorë, i fyenin bashkëfshatarët besimtarë dhe praktikantë të fesë. Natyrisht që fshatarët, si rrjedhojë e këture marrëdhënieve gati antagoniste, kërkonin vijimisht të ndryshonin udhëheqjen e fshatit. Atë ditë, të cilën mund ta quajmë ditë e zezë, pati përleshje, e cila zhvillohej shumicës së fshatit dhe agjentëve të shërbimeve sekrete, të cilët ishin evidentuar me kohë që ishin kukulla të pushtetit kundërshqiptar. Në fakt, kur sahanlëpirësit e të huajve e panë se do t´i humbin zgjedhjet për kandidatin e tyre, organizuan tollovinë… Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, unë udhëtova në Gjermani te babai. Në fshat ekzistonte një frikë nga udhëheqja lokale. Unë, si i ri që isha, nuk e llogarisja fare frikën dhe as rreziqet që mund të vinin pas asaj grindjeje masive, por edhe “njerëzit” e pushtetit e dinin që nuk ua kisha frikën, për faktin që isha ballafaquar disa herë me ta.
Disa muaj më vonë nga dita që ndodhi ajo rrahje masive, me pasojë humbjen e jetës nga Veapi – babai i Kurtishit, filloi gjykimi nga organet e drejtësisë i thënçin. Kjo ngjarje për mua qe shumë e pakuptimtë dhe mjaftë interesante. Fakti qe, se kur e lexova në gazeta të vendit, u unteresova për hollësi të mëtejshme dhe nga bashkëfshatarët mësova të vërtetën. Ishin njerëzit e pushtetit lokal ata që e kishin rolin dominues me në krye shefin e Zyrës së Vendore, i cili quhej Milaim Hyseni. Për fat të keq, ai ishte shërbëtor besnik i sllavëve. Hyseni me gjykatësit e vendit kishte organizuar një komplot, i cili ishte një tragjedi më e keqe. Donin të organizonin një vëllavrasje brenda një fisi. Ata pretendonin se të ndjerin Veap kinse e kishte qëlluar për vdekje Ismeti, i biri i Zyberit, i cili e kishte xhaxha. Akuza u inskenua në këtë mënyrë me qëllim që familjari i vrarë të fajësohej për vrasjen e xhaxhait. Dhe kjo intrigë e organeve të pushtetit bëhej me qëllimin që Ismeti të burgosej, ndërsa vrasësit e vërtetë, që e mbytën Veapin, të liroheshin si të pafajshëm. Pra, me një gur ata donin vritnin dy zogj, dy shqiptarë. Unë, si djalë i ri dhe duke mos e njohur pothuajse fare frikën, aq më shumë që nuk mersha fare vesh nga politika e aq më shumë nga dredhitë e pushtetit kriminal, kisha krijuar bindjen, se ata të pushtetit nuk kishin fare respekt për ne. Kjo bindje më ishte përforcuar nga bisedat e shpeshta me bashkëfshatarët e mi dhe bashkëmoshatarët e mi.
Gjatë një bisede me babain tim për zhvillimin e procesit gjyqësorë nga Gjykata në Shkup, për rastin në fjalë, i tregova se unë po shkoj në Shkup dhe atje do të dalë dëshmitar vullnetar për të thënë të vërtetën. Babai, me këshilloi që të kem shumë kujdes, se atje dëshmitarëve janë duke ua nxjerrë shpirtin me darë; ti, më tha ai veç të tjerave, je ende i ri dhe nuk e njeh familjen e Milaimit, ata janë bashkëpunëtorë të UDB-ës. Shkurt, janë udbashë të rrezikshëm. Babi e njihte psikologjinë e bashkëfshatarëve, ishte rritur me vuajtjet dhe me shtypjen nga organet e pushtetit të egër.
U ktheva nga Gjermania dhe shkova në katund të bisedoja me pjesëmarrësit që kishin qenë të pranishëm dhe që e dinin fort mirë rastin, por askush nuk guxonte të dilte të dëshmonte, përveç Remzi Osmanit. Të nesërmen shkova në Gjykatën e Shkupit. Në Gjykatën e Shkupit, u paraqita tek avokati që e mbronte viktimën. Me sa më kujtohet, ai quhej Aca; mbiemri nuk më kujtohet. I tregova se unë kam qenë pjesëmarrës në atë rast dhe dua që të them të vërtetën e asaj tragjedie.
Në gjyq shpjegova para trupit gjykues si ndodhi e gjithë ajo tragjedi, duke u thënë se vrasësi ishte pikërisht Mustafa, i cili e mori gurin me këtë dorë e vendosi në dorën tjetër dhe gjuajti pas një personi; guri ra në kokë viktimës dhe ai u rrëzua përtokë. Unë e sulmova fizikisht atë që e gjuajti me gur, duke menduar se i ra xhaxhait tim, Zeqirit. Kur Zeqiri më hetoi, më doli para, më kapi dhe më tha: “Largohu!”. Kur e pashë se nuk ishte qëlluar xhaxhai u largova unë dhe të tjerët. Pra, kështu përfundoi kjo ndodhi.
Avokati e mbrojti mendimin tim, pasi kështu kishte thënë edhe dëshmitari para meje. Reagimet filluan nga pala tjetër, duke më quajtur i çmendur me lloj-lloj epitetesh; kërkuan që atyre t´u ofroja një dokument nga mjeku, që s’jam normal?!!! Pra, kërkonin vetëm humbje kohe.
Të nesërmen gazetat shkruan, se dëshmitari i ardhur nga Gjermania ka dëshmuar dhe rasti është zbardhur, si dhe të tjera konstatime që nuk më kujtohen me hollësi, për faktin që kanë kaluar shumë vite. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1978. Gjykata vazhdoi disa javë. Kuptohet që gazetat shkruanin ashtu siç dëshironin pushtetarët.
Edhe pse faktet, dëshmitë dhe argumentet ishin në anën tonë, gjykatësit finokë maqedonas e deklaruan një “drejtësi” interesante, në stilin e zyrtarit të kohës osmane: “Rrahje në turmë, që si pasojë ka përfunduar me tragjedi”?!!! Për fat të keq, familjarët e viktimës, përsëri morën dënime me burg, të cilët dolën edhe të dëmtuar, edhe të burgosur.
Kjo ishte një ngjarje prej nga jeta ime filloi të merrte një drejtim terr e zi, e organizuar nga policia jugosllave, gjegjësisht nga shefi i zyrës së vendit, Milaim Hyseni. Nuk kaluan ca javë, kur erdhi “baca i Ramadan Dinës”, ashtu e quanim ne në katund. Ai më kërkonte me ngulm, duke më thënë: “Dëgjo, ja 200.000 dinarë dhe menjëherë ik nga këtu, sepse me veshët e mi e kam dëgjuar Milaimin duke i organizuar gjashtë veta. Atyre u thoshte se, ju, patjetër duhet ta likuidoni, pra, ta vrisni Xhemilin, përndryshe, ju do ta keni jetën e vështirë nga unë”.
“Mos u mërzit, baca Ramadan, – ia ktheva unë – sepse atyre aspak s´ua kam frikën”. Ai, madje, m´i tregoi se kush ishin ata gjashtë veta të cilët i kishte parë në atë organizim kundër meje, ngaqë që Veapi i Ramadanit ishte martuar me vajzën e vëllait të Milaim Hysenit. Milaimi në besim kishte folur para tij. “Ai nuk e di se po të ndodhem unë aty, nuk mund të të vrasin ti pa më vrarë mua, por unë bacok kam obligime familjare, kam dhe këto delet, kam edhe shumë punë të tjera… Të dua si djalin tim, Naserin”, – kështu u tha Milaimi atyre 6 djemve.
Unë, me të ndjerin Naserin dhe me Nehatin kemi qenë shokë të mirë. Për fat të keq, ata dy shokët, duke ardhur me tren nga Zagrebi, kur mbrijnë në Stallacë në afërsi të Nishit, në Serbi, treni bëri aksident, si rrjedhojë pati shumë udhëtarë të plagosur por edhe viktima, midis të cilëve edhe dy shokët e mi, Naseri dhe Nehati. E ëma e Naserit, me humbjen e djalit shumë herë e humbte vetëdijen, ndaj dhe xha Ramadani më thërriste që ta qetësoja. Kur shkoja unë atje, ajo më përqafonte dhe dukej sikur shërohej. Mua, më shpërthenin lotët, qaja si fëmijë, kur e shihja loken në atë gjendje; njëkohësisht, ndoshta nënës së Naserit i vinte keq për mua, dhe pushonte së qari dhe fillonte të më ngushëllonte mua. Edhe sot vras mendjen, sesi ndodhnin gjithë ato raste të hidhura, dhe vallë, pse ishin aq të shpeshta?!
Po e përsëris, se xha Ramadani më sugjeroi disa herë duke m’u lutur me këmbëngulje që të largohesha jashtë shtetit. Por unë, duke pasur besim të tepëruar te vetja se nuk mund të më bënin dot gjë, prandaj dhe nuk e dëgjoja. Madje, më vonë, prej tij më erdhi edhe një tjetër paralajmërim, duke më thënë: “Mësova, se sot ata të gjashtë veta kanë vendosur të veprojnë kundër teje”. Unë, me atë kokfortësinë timë, pasi u përgatita mirë, shkova te kafeneja në qendër të fshatit, e cila quhej “Kafja e Sadikut – Xhepës”. Përballë saj ishte edhe “Kafeneja e Zulit”, m’u aty ku rrinin personat me pushtet të Milaim Hysenit.
Në ato momente, papritur, ose ndoshta kishin qenë në përgjimin tim, tre veta prej tyre hynë në kafene. Kur erdhën ata tek “Kafeneja e Sadikut” u habitën të gjithë të pranishmit, pasi ardhacakët menjëherë të tre në një tavolinë duke e ngulitur shikimin drejt meje, ndërsa tre të tjerët qëndruan jashtë.
Unë, menjëherë u ngrita dhe u ofrova tek hundët e tyre duke u thënë: “Ju jeni të rinj, nuk ka mashkull nga ju, që më vret mua, o këlyshët e Milaim Sykuqit!”. Milaimin e thërrisnim “Sykuq” dhe e shanim me lloj-lloj shprehjesh. Pastaj i nxora jashtë dhe më tej u them: “Ai biri i kurvës le të dalë vetë, e jo ju, o axhami etj., etj.” Papritmas, doli Selver Fetahu dhe Dalip Çelebiu më kapën për krahu dhe më thanë: “Eja me ne, se tani nuk je i vetëm, ti e bëre tënden, tani ata kanë punë edhe me ne…”
Atë natë, nuk ndodhi asgjë. Pas 4-5 ditësh erdhi policia dhe më ftuan që të shkoja në stacion të policisë lokale në katundin Grupcin. Shkova. Atje ishte një polic maqedonas. Me sa më kujtohet, polici kujdestar quhej Llaze, i cili më vonë, ky antishqiptar i tërbuar, e vrau Bajramin – një djalë të ri – 24 vjet. E vrau në katundin Pollaticë, m’u para prindërve të tij edhe pse Bajrami, babain e kishte memec.
Ky polici shovinist, antishqiptar, më pyeti “Ç´është problemi me ty?! ” Unë i tregova drejt se, Milaim Hyseni iu ka dhënë urdhra atyre që të më vrasin, e nëse nuk më vrasin, ai i ka kërcënuar se ka për t’ua nxirë jetën me polici. – “Si, ashtu, me të vërtetë, a?! ”, pyeti me habi. – “Po”, i thashë unë. “Mirë, do ta shohim”, – tha ai. I thirri me telefona, ´Toki Voki´ quheshin, dhe e urdhëroi t’ia sillte menjëherë ata tre veta djemtë. Mua më liroi atë ditë, pa më torturuar.
Ata të tre veglat qorre të Milaim Hysenit i gjeti policia, i mori me veturë dhe i dërgoi në stacionin e policisë. Policët i pyetën për ngjarjen. Në fillim ata nuk deshën të tregonin, por, pasi i qëlluan me disa shuplaka, ata pranojnë se si “Puci Lam”, (siç e quanin Milaim Hysenin), u kishte bërë presion, duke u thënë: Nëse nuk e vrisni Xhemilin, do t’ua bëj jetën terr e zi…
Në atë stacion policie punonte dhe polic edhe Alimahir Elmazi, të cilin babai im e kishte djalë të dajës, ndërkohë që unë isha shok i pandarë me të. Ai me tregoi se, Llaze qenka hidhëruar me Milaimin duke luajtur bixhoz para disa ditësh dhe kanë qenë duke u vrarë me të.
Pas një jave përsëri filluan të më thërrasin në polici. Unë nuk pranoja të shkoja. Por, pas disa tentimeve, kur erdhi e më lajmëroi të shkoja Alimahir Elmazi, daja më thotë: “Nuk ke pse frikësohesh, ti je i pafajshëm, vetëm ke dalë dëshmitar”. Pas kësaj bisede vendosa të shkoja, dhe n jë ditë prej ditësh u mashtrova dhe shkova. E di që ka qenë rreth orës 10:00. Brenda në stacion ishin tre policë: një burrë i vjetër maqedon, një tjetër nga Mali i Zi, të cilin e quanin Izet, dhe një tjetër me mustaqe të mëdha, që e fliste pastër dialektin bullgar. “Eja, ulu këtu me një karrige”, më tha mustakoçi, dhe që të tre rrinin në këmbë, shkopinjtë e gomës i mbanin në dorë. Unë u tregova fare naiv, duke menduar se ata e dinin që unë isha shok me Alimahirin e që e kisha edhe dajë, madje disa herë kishte rastisur që i kisha gjetur bashkë me Alimahirin në kafene dhe u kisha paguar edhe pijet, dhe veprova sikundër më urdhëruan. Polici plak që ishte në mes të tyre më tha: “Ju shqiptarët jeni si lopa, lopa kur ju jep qumësht e mbani, por kur nuk ka qumësht ia prisni kokën. Ne, sa herë të kemi pyet, ç´bëhet në katund?, ti nuk tregon; të kemi pyet çfarë bën, çfarë thotë, çfarë të jep ty Ismet Adili, ndërsa ti asgjë nuk tregon”.
Vlen të theksohet që Ismeti më ofronte hera-herës ca kaseta të fotokopjuara me këngë atdhetare nga Radio Tirana. Polici, vazhdoi; “Bile, bile më 29 Nëntor, në ditën e AVNOJ-it, në kafene e ke prishur rendin dhe qetësinë publike, (e kishte fjalën për atë ditë që u qortuam me ata të rinjtë).
“Po, -pranova unë – unë s´jam në punë, bile as nuk kam ditur se ç`ditë ishte, pa lëre më datën”. Ai, vazhdoi: “Dhe dije mirë që, prej sot ti nuk do të guxosh të flasësh me askënd, në rrugë apo në kafene; edhe te Servet Sabriu kur të shkosh në “Market” t´i thuash vetëm ato gjëra që do t´i blesh aty”. Dhe në fund më tha: “Mbaje dorën”. E vërejta, por s´e besoja se donin të më rrihnin duarve. Unë qesha, kurse ai filloi të ma shante nënën shqiptare, duke më bërtitur. Përsëri më tha: “Mbaje dorën se do të vrasim”. Unë, si i ri që isha, nuk kisha pasur kurrë probleme. Ai u mundua të më godiste në kokë, me shkopin e gomës. Atëherë unë u revoltova dhe i kapa shkopin e gomës dhe u përpoqa t´ia fusja një boks turinjve. Mirëpo ai u mbrojt dhe nuk e godita dot. Ndërsa ai tjetri, bullgari, më qëlloi në qafë me shkopin e gomës. Mua m´u duk sikur të më kapte rryma elektrike, dhe më nuk di se ç´kanë bërë më pas me mua. Në këtë gjendje pavetëdijëshme më kanë hedhur gjatë natës në magjistralen Tetovë-Shkup. Mëma më ka treguar se pas disa ditësh kam ardh në vete, i mbështjellë me lëkurë deleje, por e kisha vështirë të çohesha në këmbë.
Pas disa javësh, ashtu me lëkurë deleje si dhe qepë e kripë dhe barna popullore, familjarët mundoheshin të më shpëtonin jetën. Kur u përmirësova me shëndet, më treguan si ka ndodhur ngjarja, pasi që nuk mbaja mend asgjë. E mbaja mend vetëm atë që kisha thënë: në ora 10:00, dhe pasi më kanë goditur me shkop në qafë, se ç´ka ndodhur pastaj, nuk dija asgjë. Nëna ime, prej atëherë kur më ka parë si të vdekur, është sëmurë rëndë dhe vuajti nga zemra derisa vdiq.
Ato vite nëna më tregonte se, daja Naki nga fshati Llarcë pasi paskan qenë në Tetovë, duke u kthyer në fshat, njëri nga shokët e tij qenka ndalë për të bërë ujin e hollë (shurruar) dhe papritur pengohet në trupin tim, i thërret dhe dy shokët e tjerë, sepse Nakiu ishte invalid pa këmbë dhe voziste makinën me frena dore, diçka speciale, pasi mjekët ia kishin amputuar këmbët e sëmurura nga diabeti. E marrin trupin tim dhe më dërgojnë para dritave të makinës. Kur Nakiu më ka njohur, ka klithur: “Uh, po ky është Xhemili i Edibes! Futeni në makinë, ta dërgojmë në shtëpi!” Kur shpëtimtarët mbërrijnë në shtëpinë time, nëna sapo më sheh në atë gjendje, pasi më kishin kërkuar tërë ditën, i bie të fikët dhe prej atëherë filloi të vuajë nga shumë sëmundje. Vdiq si grua dhe nënë e re ne moshën 62 vjeçare.
Pas disa muajsh, pasi u këndella nga plagët dhe fillova të rri në këmbët e mia, në shtëpinë time vjen për vizitë mësues Ametagn Sadiku. Mësuesi e kishte mësuar se si më kishte bërë në atë gjendje policia. Gjatë bisedës mësuesit i tregoja deri ku mbaja mend, më tutje nuk dija, pasi me kishin hedhur afër varrezave të njohura të katundit Dobërc.
“Tek ato varreza ka një histori tragjike”, më shpjegoi mësuesi atdhetar, Ametagan Sadiku. “Ato varreza janë qëkur Serbia më 1913/14 i masakroi rreth 100 burra, të katundit Dobërc dhe për fat, që të mos humbin pa shenjë dhe pa dokë, siç thotë populli, njëri prej tyre shpëton. Prandaj me qëllim të caktuar të kanë hedhur tek ato varrezat e terrorit serb, që të humbisje pa nam e pa nishan! Dëgjo këtu, – vazhdoi mësuesi Ametagni,- ti do të shkosh nesër në Tetovë, tek Komiteti Komunal dhe do ta kërkosh Boshko Merxhanovskin (Sekretari Komitetit Komunal). Kur të hyjsh aty, mund të jetë dhe sekretaresha e tij apo dikush tjetër, ti do i heqësh rrobat, vetëm në brekë të shkurtra të mbetesh, në mënyrë që ai ta sheh trupin të lënduar si mos më keq nga goditjet çnjerëzore, npasi edhe pas 6 muajsh ato nuk zhduken”.
Të nesërmen ishte ditë e mërkurë, unë në ora tetë paradite hyra në Komitetin Komunal. Në zyrë ishin dy burra dhe një grua. I pyeta se ku është Sekretari i Komitetit, Boshko Merxhanovski. Sekretaresha tha: “Ja, ky është Boshko”. Sekretari ishte ai më i vjetri.
“Çka ke djalosh? ” – më pyeti ai, në gjuhën maqedone?
Unë shpejt u zhvesha dhe i përlotur, i thashë: – “Ja, se ç´më ka bërë policia në fshatin Grupcin, para 6 muajsh”.
– “Auaaa!!!”, klithi disa herë sekretari.
Burrin tjetër, që ishte aty, e urdhëroi të më çonte në zyre dhe të më merrte një deklaratë.
– “Kush ua dha të drejtën atyre policëve që djaloshin ta bëjnë në këtë gjendje të mjerë?!”
Pasi më mori në zyrën tjetër, Ilaz Sabriu, tha: – “Unë jam nga katundi Pirok, pastaj i shau shqip, ata që më kanë rrahur aq barbarisht. A ke para të shkosh menjëherë në spital, që të kontrollohesh? Shko menjëherë në spital dhe merre një raport mjekësor prej mjekut dhe sille këtu”.
Shkova në spital, e mora raportin mjekësor dhe ia dorëzova Ilasit në zyrë. Ai më tha: – “Ne, do ta marrim në dorë këtë çështje. Ti aspak mos u brengos. Do të vish pas një jave dhe të shohim sesi do të veprojmë pastaj…”
Pas një jave, vendosa të shkoja te Ilasi në komitet. Sapo zbrita prej autobusit, e takova komandantin e policisë, Refetin, nga katundi Nerashtë. M´u ofrua dhe kërcënueshëm ma priti: – “Kush të ka mësuar të ankohesh ashtu, bre nanën ia… atij dhe tyre…”
– “Askush nuk më ka mësuar. Unë e kam mbaruar shkollën e mesme dhe di aq sa të drejtohem se ku kam drejt të ankohem”, ia ktheve unë me revoltë.
Shqipfolësi Rafet u tërbua, dhe prej zemërimit më lëshoi një mori sharjesh, por mbeti me aq, sepse asgjë dhe asnjë masë nuk u mor. Së paku, unë nuk dëgjova më… Por ironia më e madhe është, se pas ndryshimit të sistemit politik në ish-Jugosllavi, Ilasi qe bërë ambasador i Maqedonisë në Zagreb, bile as që m’u paraqit më!
Çdo ditë mendoja si do të shkojë jeta në këtë mënyrë, unë që nuk dija as të merresha me ndonjë veprimtari politike?! Si më bënë në këtë gjendje. Si i ri që isha, mendoja, të studioja terrenin, pastaj të shkoja në stacionin e policisë, t´i vrisja policët që më rrahën për vdekje etj. Plagët e mia u bënë shkaktar i vdekjes së hershme të nënës sime. Tërë kohën mendoja: vallë, ç´paskan hequr ata atdhetarë, që demonstruan në vitin 1968 për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar?! Këto halle më shpesh i qaja me Selver Fetahun, pasi kishim miqësi familjare, gruan e tij e kisha teze. Selveri, më ngushëllonte dhe më thoshte:
– “Më mirë largohu njëherë nga Jugosllavia. Shko në Gjermani te babai, sepse e di unë se, ç´kemi hequr me Ismetin, vëllain tonë, kur e arrestuan më 1968”.
– “Po, mirë më thua, por unë dua të studioj. E kam regjistruar historinë në Universitetin e Prishtinës, sepse më pëlqen historia e popullit tonë. Në Prishtinë qëndrova një javë dhe lexoja ca gazeta ilegale, ku konstatohej që, këtij shteti nuk do t`i shkojë gjatë”,- ia ktheva mikut tim, Selverit.
Në fund të vitit 1979 shkova në Zvicër, në qytetin e Gusaut, atje kisha kontakte me shumë njerëz dhe kërkoja punë. Në Sangale u takova me disa shqiptarë nga Kosova dhe pas pak kohe gjeta punë në një restorant si pjatalarës. Në qytetin e Sangales u takova me heroin kombëtar, Kadri Zekën, i cili në fakt m’u prezantua më tha një emër tjetër, por nuk e mbaja mend. Mirëpo, një shok nga Prizreni më tregoi se ai është mërgimtar nga Kosova, quhet Kadri Zeka, dhe është i arratisur politik, prandaj shumica e shqiptareve frikësohen të takohen me të, por ky që më tregoi e kishte shok. “Kadriu është shumë burrë i mirë”. – tregoi shoku im nga Prizreni. Dua të theksoj këtu se punëtorët tanë që punonin aty, frikësoheshin nga sanksionet, pengesat si dhe ndjekjet e Sekretariatit të Punëve të Brendshëm të Kosovës.
Pas disa javësh që pata filluar të punoja aty, mësova se nëna ime ishte bërë operacion në Bilefeld të Gjermanisë, e cila vuante prej shumë sëmundje, dhe u nisa për në Gjermani. Atje mbeta ca muaj. Atje takohesha me shokë dhe u tregoja se në Maqedoni gjendja është shumë e vështirë. U tregoja për rastin tim, që pa bërë asgjë të keqe kundër shtetit, më masakruan. Ngjashëm edhe atdhetarët tjerë që kërkojnë të drejtat të barabarta, nëpërkëmben dhe vuajnë nga pushteti shtypës jugosllav. Për fat të keq, në Gjermani nuk pata mundësi të punoja, prandaj u detyrova të shkoja në Danimarkë, dhe më 8 janar të vitit 1981 u pajisa me lejeqëndrim.
Për përpjekjet e mia atdhetare në Danimarkë, kam shkruar mjaft, në librin “Në mbrojtje (diplomatike) të Çështjes Shqiptare”, si dhe në librin e pestë ‘E vërteta bën armiq’. Por, këtu vetëm dua të shpjegoj se në Danimarkë shqiptarët frikësoheshin shumë prej disa ish-aktivistëve të ambasadës jugosllave. Më kujtohet, kur njerëzit thoshin se Isa Mustafa prej Kosovës së bashku me një serb nga Beogradi ka qenë në Danimarkë; ndër të cilët spiunët e jugosllavëve ishin Abdilhalim Kasami, Ali Asllani e të tjerë, të cilët në emër të ambasadës jugosllave i kishin tubuar ca shqiptarë trutharë në një mbledhje informative për gjendjen në Kosovë pas demonstratave në pranverën e vitit 1981. Me këtë rast projugosllavët ishin pajtuar që të formohet një klub shqiptar, të cilin e quajtën, ”Jugo Klub”. Prej atij klubi të shqipfolësve të mjerë u dënuan demonstratat e studentëve në Prishtinë. Ky akt tradhtie më preku keq, për faktin që nuk e dija që kishte një mbledhje të tillë dhe më hante shpirtin një brengë e madhe. Më kujtoheshin fjalët e veprimtarit kombëtar, Kadri Zekës, kur thoshte: “Në Kosovë do të kemi demonstrata, kudo që të jemi, ne shqiptarët duhet t´i mbështesim”. Ndërsa, unë nga mosinformimi, në Danimarkë nuk bëra asgjë kundër kësaj tradhtie.
– Më vonë rashë në kontakt me Shoqatën Danezo-Shqiptare. Atje fillova të furnizohem me literaturë nga shteti amë – Shqipëria. I lexoja gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, reviatën “Shqipëria e Re”e tjera Shpesh kopjoja shkrime të tyre dhe ua nisja shqiptarëve me adresa. Shpeshherë kaloja në Malmë të Suedisë dhe prej andej i dorëzoja në postë. Ndërsa, prej Danimarkës ua dërgoja 10 vetave që i kisha adresat në Malmë. Më vonë, pata shkuar disa herë në Stokholm, në Ambasadën Shqiptare ku kërkoja të më japin ndonjë obligim, pasi që unë nuk do të kthehem në vendlindje.
Ata më dëgjonin me vëmendje, më udhëzonin që unë dhe shqiptarët duhet të punojmë me ndershmëri, të mbajmë familjet, të krijojmë familje dhe në këtë mënyrë t`i ndihmojmë kombit dhe shtetit shqiptar. Na këshillonin që ne duhet të martoheshim të krijonim familje; sepse gjithçka nisë nga familja. Unë pasi ua kisha shpjeguar vuajtjet e mia, ata më dëgjonin me vëmendje dhe theksonin qartë:
– “Po, i kemi parasysh vuajtjet e shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar, por duhet bashkërisht të vetëdijesohemi dhe një ditë do bashkohemi. Tani mjafton të lexoni literaturë dhe të shpërndahen librat, videot me filmat, kasetat me këngë shqipe etj. Kjo është një punë e madhe patriotike”.
– “Oh, – u tregova unë,- këtë e kam bërë… Tani si i mora këto materiale do t´i shumëfishoj dhe do t´i shpërndaj”.
– “Jo, -më tha Sekretari i ambasadës,- ju na i sillni adresat pa rënë në sy dhe na i dërgo, pastaj ne i dërgojmë me postë. Ti aspak mos u harxho…”
Unë, si zakonisht, ua dërgoja adresat dhe si përherë i shpërndaja materialet. Duke i vrojtuar situatat, pasi që edhe Shoqata Shqiptare filloi të funksionojë më mirë. Atëherë vinin punëtorët, aty filluam edhe t´i shpërndajmë materialet nëpërmjet shokëve të besuar.
I etur për t´iu hakmarrë pushtetit të egër sllav në Maqedoni, nuk dija se ç´ishte lodhja. Më vonë filluam me organizimin e demonstratave. Unë i dhashë detyrë vetes, që të merrem me organizatat, organet qeveritare daneze dhe me gazetarët, me deputetët që kishin të bëjnë me çështje internacionale. Gati në çdo demonstratë, para se ta zhvillonim atë, bënim njoftim se, do të kemi demonstrata. Në demonstrata bënim thirrje të vinin njerëz të politikës, deputetë, shkrimtarë, mësimdhënës universitarë, redaktorë etj. Ata i angazhonim madje që edhe që të flisnin në demonstratat tona.
Në Danimarkë ishin disa shqiptarë “të ndershëm”, të cilët nuk lejonin assesi, që Shoqata ” Besa” të quhej Shoqata e Punëtorëve Shqiptarë nga Jugosllavia, ata dëshironin që shoqata jonë, të quhej, ‘Shoqata e Punëtorëve nga Jugosllavia”, që përfaqësonin ambasadën jugosllave. Këta ishin Zenun Zenuni, Habili i katundit Miletinë, Ejup Latifi. Për fat të mjerë, ky i fundit e nxirrte pasaportën jugosllave nga xhepi dhe çirrej: “Çka asht kjooo? A asht e Allbanisë apo e Jugosllavisë?! Ne, ne jemi të Jugosllavisë, prandaj shoqata duhet të quhet, ‘Jugoslovenski klub’”
Unë bëja presion që me çdo kusht që shoqatën ta emërtonim ‘Shoqata shqiptare Besa’. Ideja ime ishte që të kemi një argument para institucioneve daneze, në mënyrë që të argumentojmë që jemi shqiptarë dhe kemi shoqatën shqiptare, nga RFSJ. Më në fund, u arrit ky objektiv për emërimin i shoqatës. Kjo ishte fitore e viteve ´80-të.
Mirëpo, gjendja ndryshoi së prapthi, pothuajse e gjitha, pas vitit 2001.
E keqja më e madhe doli se më vonë veprimtarët e ambasadës jugosllave u bënë “super patriotë”. Tani e lavdëronin Ibrahim Rugovën & CO në Kosovë dhe Sali Berishën andej Drinit, siç e lavdëronin dikur Rrahman Morinën dhe Sinan Hasanin para viteve ‘90-ta. Bile me Zenunin disa herë kisha pas konflikte, sa herë-herë gjendja acarohej gati që të bëhej edhe gjakderdhje…
Vlen të theksohet viti 2001, pas tre luftërave çlirimtare në trojet shqiptare, ish-agjentët jugosllavë u bënë, siç thuhet: “Dallëndyshe, ktheje ndryshe”. Filluan me veprimin fetar, duke shkuar pas hoxhës dhe jepnin dije të “mrekullueshme, ” që ne si shqiptarë thoshin ata: “Na duhet një xhami shqiptare në Danimarkë; pra, jemi myslimanë na duhet që fëmijët tanë ta dinë se jemi shqiptarë myslimanë, na duhet të mësojmë për fenë tonë në xhami”.
Arsimtari Enver Loku mori angazhimin për hapjen e shkollave shqipe për komunjitetin shqiptar në Danimarkë, por tanimë popullin e kishin prishë në tru, me këto nisma fetare. Natyrisht, më i zëshmi, më veprues për këto punë prapësie, reaksionari me damkë, në krye me Zenunin nga fshati Pollaticë. Ai, bashkë me ca të tjerë formuan një “Këshill” dhe planifikonin të ndërtonin një xhami shqiptare më të madhe në Skandinavi?!!!
Unë isha i vetmi që zhvilloja debate me ta. Kur më jepej mundësia, nuk ngurroja t´u thosha: “Kot e keni, danezët nuk do ta lejojnë këtë xhami. Ja, e themeluat një, e regjistruat shoqatën, ashtu, siç iu propozova unë në atë kohë.”
Për mua ishte çdo gjë e qartë. Tek e mbramja, këtyre, në fakt, nuk iu interesonte feja, objektivi i tyre ishin si e si t’i përçanin shqiptarët, duke dëmtuar sa më shumë çështjen kombëtare shqiptare.
Kopenhagë, 27- 02- 2018
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!