ZHGËNJIMI I MADH I SHQIPTARËVE KËTEJ E MATANË DRINIT!

25
Apr
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 25 Peill 2024-
Në një prononcim në medjen vizive, ish zv/Ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, në vijim të revoltës së saj për krizën politike, ekonomike e shoqërore që ka mbërthyer vendin, shprehu zhgënjimin e saj për mos reagimin e qytetarëve shqiptarë. Me ison e saj bashkohen edhe mjaft politikanë e intelektualë nga të dyja krahët e politikës. Pikërisht këtyre, do të mundohem t’ju jap një përgjigje modeste.
Pas ndarjes nga jeta të Shqiptarit të madh, Enver Hoxha, për “meritë” të kamaleonit Ramiz Alia, Shqipëria jonë nisi të marrë tatëpjetën, e cila në fund të vitit 1990, u “kurorëzua” me përmbysjen e madhe. Gjatë këtij pesëvjeçari të errët (1985 1990), mjaft nga intelektualët dhe qytetarët e thjeshtë, ishin përfshirë nga një makth i pashpjegueshëm për gjendjen e mjegullt nëpër të cilën po “notonte” vendi. Por, të mbërthyer nga problemet meskine, e të nanurisur nga jeta paqësore gjysëm shekullore, truri ynë ishte topitur, syri ynë ishte lbyrur, dhe nuk arritëm të kuptonim e të shihnim “Kalin e drunjtë”, që po rendëte drejt nesh. Pothuajse i vetmi ishte poeti komunist Hysni Milloshi, i cili doli nga gjumi letargjik, që na kishte zënë ne të tjerëve, dhe dha kushtrimin. Një kushtrim historik, artistik dhe luftarak, siç ishte poema e tij e fuqishme “Atdheu”.
Por siç shprehet populli, tashmë “ferra e kishte marrë uratën”. Falë propagandës gebelsiane të Arturo-Ui-t shqiptar, alias Berisha, dhe skuadroneve neofashiste që e shoqëronin, mbështetur nga Rajersonët amerikanë, në sheshin “Skënderbej” të kryeqytetit u mblodhën mbi njëqind mijë qytetarë, në pritje të Sekretarit të SHBA, Bejker, a thua se vetë Krishti kishte zbritur tek grigja tokësore. Rezultatet e vetme të kësaj pritje të paparë, mbetën parullat “Amerikë” dhe Europë”, të cilat vijojnë edhe sot pas 33 vitesh nga ajo kohë.
Në këta 33 vjet, që u quajtën “tranzicion demokratik”, patëm disa pika “kulmore”, ku u vu në pikëpyetje jo vetëm ekzistenca e shtetit shqiptar, por edhe vetë jeta e shqiptarëve të Republikës, me emrin Shqipëri. Këto “pika kulmore” ishin: Rrahjet masive të qytetarëve nga policia e shtetit “demokratik” në vitin 1996; Gjëma e madhe dhe e paharruar e vitit 1997, që rrezikoi luftën civile dhe përcolli për në varr rreth katërmijë shiptarë; Grusht shteti i ’98-tës që na la pothuaj pa shtet; “Bomba atomike e Gërdecit”, që dogji në flakë 26 qytetarë dhe sakatoi qindra të tjerë, për të mbyllur ciklin e “skandaleve” me vrasjet e 21 Janarit të vitit 2011. Në fund të këtij kalvari me ngjarje tragjike, shoqëruar edhe me episode të tjera më të vogla, shqiptarët u gjendën përsëri me dy parullat e famshme në krah: “Amerikë” dhe “Europë”, pa arritur tek asnjëra prej tyre.
Në të gjitha këto “aktivitete”, ushtarët pjesëmarrës ishin nga radhët e qytetarëve të thjeshtë, të cilët vraponin me shpresën se problemet do të merrnin udhë dhe “demokracia” e premtuar do të lulëzonte në vatrat e tyre. Por kjo nuk ndodhi, dhe nuk po ndodh. Rikthimi në pushtet i Arturo-Berishës, ishte një zhgënjim i madh për shumicën e qytetarëve, që ia kishte pirë me fund “lëngun” e qeverisjes naziskine. Por, ngaqë “Arturo” ynë u kthye në qeverisje me yzmin e Amerikës dhe Europës, qytetarët, pranuan të ruanin një rreze shprese për të ardhmen, që i thonin se do të ndryshojë. Ishin pikërisht rasti i Gërdecit, dhe sidomos kasaphana e 21 Janarit, që qytetarët në masë të braktisnin edhe atë shpresë të vakët që u kishte mbetur, dhe të zgjidhnin të vetmen rrugë, atë të braktisjes së vendit.
2013, ishte viti që ktheu shpresën dhe ndali braktisjen. Në pushtet erdhi “e majta” Socialiste, e cila, përveç mbiemrit të mirënjohur nga qytetarët, i shtoi edhe emërtimin “Rilindja”, fjalë magjike që risillte në skenë Rilindasit tanë të mëdhenj e të lavdishëm. Në dy mandatet e para, pavarësisht nga mos arritja e premtimeve, qytetarët e ndoqën me durim Rilindjen, duke ia falur shpesh herë lajthitjet. Por PS-Rilindja u fut në mandatin e tretë, pa realizuar as premtimet e mandatit të parë, ndaj qytetari dyshoi dhe shumë shpejt u bind se “Rilindja” e “rilindasit” Rama, ishte thjeshtë Rivdekje. Rivdekje e vendit në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Të kthehej përsëri tek Arturo Ui? Ishte e pamundur, ndaj përgatiti çantën dhe kapërceu detin, si dikur në kohën zogolliane. Në shqipëri mbetën dhe po mbesin vetëm pleqtë, për të ruajtur trojet e braktisura nga rinia, dhe për të mbushur të paktën çerekun e kutive të votimit, të cilat zhvillohen normal, pavarësisht se votuesit po firojnë.
Si përfundim, do t’i thosha ish zv/Ministres së jashtme, Haxhi, se mosreagimi i qytetarëve ka dy arsye objetive: Të gjithë e dimë se shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë, janë kontigjent i përhershëm i së majtës socialliste. Për këtë arsye, ata nuk mund të ktheheshin tek e djathta, aq më tepër që krerët e saj me kryekreun Berisha, e patën provuar dy herë. Kjo e djathtë ka kohë që ka dalë jashtë loje, dhe nuk ka asnjë shpresë të bëhet alternativë e shqiptarëve, që kanë dy pare mend në kokë. Por edhe një arsye tjetër qëndron në këtë mes: Personazhet e vërteta, që i alternojnë ekipet qeveritare, nuk janë qytetarët dhe vota e tyre, por “grafiku” që hartojnë për neokoloninë shqiptare, Kancelaritë euro-atllantikase. Kryeministrat e vendit tonë, realisht janë guvernatorë, ose më saktë “pashallarë” të emëruar nga “Porta e Lartë”, siç ndodhte nënë sundimin e Sulltanëve të euroazisë.
I njëjti zhgënjim ka ndodhur edhe me shqiptarët përtej Drinit. “Pleqtë”e Europës, por edhe të SHBA, na paskan ndërruar pelerinat, por, jo qëllimet. 25 vjet nga dita e çlirimit, ku kontributi i ndërkombëtarëve ishte determinant, dhe 16 vjet nga Shpallja e Pavarësisë, Republika e Kosovës endet akoma nëpër kancelaritë euroatllantikase, duke kërkuar pa sukses njohjen e saj formale. Shqiptari i Kosovës, nuk e mendonte se pas çlirimit, ndërkombëtarët do ta detyronin të shkonte në takime e bisedime pikërisht me atë që e kishte poshtëruar, coptuar, denigruar, turpëruar, shfrytëzuar, përdhunuar e deportuar për gati dy shekuj me radhë. Zhgënjimi i shqiptarit të Kosovës u dyfishua, kur fill pas fitimit të lirisë, pa se harta e vendit të tij u bë laramane, me enklavat serbe, të cilat synojnë sot të përfitojnë asocacionin, e të nesërmen autonominë apo shkëputjen nga Kosova. Por zhgënjimin më të madh ata e pësuan, kur panë se Shqipëria “Nanë” kishte rënë përdhé. Shqipëria kishte mbajtur ndezur shpirtin e kombit dhe aspiratën për ribashkim kombëtar. Por pas vdekjes së “Burrit ë Dheut”, Enver Hoxha, Shqipëria “nanë”, po vrapnte “Lakuriq me duar në xhepa” drejt BE, vrap që edhe tani mbas tri dekadave e gjysëm nuk e ka sosur. Por edhe formalisht, Shqipëria e sotme e “demokracisë” nuk po i del për zot trojeve të saja në Kosovë e në gjithë Ballkanin. Ndërsa Republika Shqiptare e Kosovës, me qeverinë heroike të Albin Kurtit, mbahet me guxim e kurajo të pashoqe, përballë manovrave të ndërkombëtarëve dhe “kanakares” e tyre serbo-sllave, qeveritarët e Tiranës vrapojnë gjer në “Abu Dabi, për të promovuar turizmin, asetin e vetëm të falur nga natyra, që ka shpëtuar nga shkatërrimi. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, këta qeveritarë, por edhe intelektualë e madje edhe luftëtarë të UÇK-së, betimin për ribashkimin e trojeve shqiptare, që patën sanksionuar në “Betimin” e luftëtarëve, pas luftës e transferuan “kur të pranohen në BE!”
Ripërsëris edhe njëherë për politikanët, intelektualët dhe të gënjyerit: Qytetarët shqiptarë kanë reaguar me dhjetra e qindra herë kundër padrejtësisë, shtypjes e shfrytëzimit feudal, zogist e kapitalist; ashtu siç kanë reaguar gjer me luftra të pandërprera kundër pushtuesit të huaj, për Liri e Pavarësi kombëtare. Këto dy të fundit, shqiptarët i arritën me LANÇ dhe i gëzuan për 45 vjet të lavdishme të Socializmit. Në këto tri dekada e gjysëm të “demokracisë borgjeze”, ata u goditën nga tradhëtia më e ndyrë e historisë së tyre, çka i ka përkulur gjer në shembje.
Por populli shqiptar, nuk mund të shembet. Për fat të keq, në këto momente, vendit i mungojnë liderët e vërtetë, por populli do të dijë ta nxjerrë prijësin e tij dhe do të shpërthejë. Populli nuk është si ujët e përroit, që me shiun e parë zhurmon skërkave, por është si lumenjtë që zbresin rrëmbyeshëm në det, duke e fryrë atë gjer në shpërthim. “Dhe atëhere”, pati thirrur Enver Hoxha, në fjalimin mbi provokacionet e mundshme të grekut, “do të qërohen mirë hesapet”! Dhe hesapet populli i ka me tradhëtarët, që e katandisën vendin në këtë ditë të mjerueshme, por edhe me fqinjët e me ndërkombëtarët, të cilët, ashtu si në shekujt e kaluar, duan ta përdorin vendin tone, si plaçkë tregu për hesapt e tyre gjeostrategjike.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk