-Gazeta SOT 11 Tetor 2025-
Nuk kisha ndërmend të shkruaja për ngjarjen tragjike të vrasjes së gjyqtarit të nderuar në sallën e gjyqit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, sepse siç pata shkruar disa ditë më parë në shtyp, tek ne, gjithçka tashmë e ka “rruar Perja”, – një shprehje shkodrane, e cila bën fjalë për një të mbaruar, që e ka “rruar Perja”, – emër i punëtorit të shërbimit në morgun e spitalit të Shkodrës. Por një shënim në FB-un e njërit prej gazetarëve dhe analistëve nga më të mirët e vendit dhe komentet që e shoqëronin, më nxiti të futem edhe unë në vorbullën e kësaj ngjarje nga më tragjiket, që ka ndodhur në këta tri dekada e gjysëm në vendin tonë. Gazetari në fjalë, krahas dënimit me të drejtë të vrasjes, lëshon një thirrje, e cila u drejtohet gjithë qytetarëve, të cilët ballafaqohen me probleme të drejtësisë e të padrejtësisë:
“E di që qytetarët janë të etur për drejtësi, – kumton gazetari. – E di që shpesh paguani për të marrë atë që u takon. E di që jani të mbytur në korrupsion . . . Por, mbi të gjitha, a nuk ka rrugë më të mirë e më të drejtë se sa pushka?! Ju që miratoni apo kërkoni vrasjen e gjykatësve, ministrave, deputetëve e pushtetarëve, përse nuk votoni për të zgjedhur njerëz më të mirë se këta që janë në qeveri e në parlament?! Pushka më e mirë për të vrarë korrupsionin, është vota o njerëz, është reagimi qytetar, është ngritja e zërit dhe grushtit”! – përfundon gazetari, komentin e tij për ngjarjen në fjalë.
Një nga shokët e mi në FB, komentin e gazetarit e kishte përcjellë me vetëm pesë fjalë e dy lidhëse. “Mos e detyroni popullin të rrëmbejë pushkën . . . !”, – të cilën unë po e përdor si titull të shkrimit tim, duke shpresuar se shoku nuk do të më zemërohet.
Gazetari që ka bërë komentin e mësipërm ka folur saktë, dhe me pjekuri. Por nëse do të ndaleshim paksa më konkretisht e në detaje, komenti i tij mund të ketë nevojë edhe për disa plotësime, që në rastin në fjalë janë shumë të rëndësishme: Fenomeni i padrejtësisë dhe krimit e korrupsionit, në vendin tonë nuk është një fenomen i thjeshtë, që mund të bllokohet e të eleminohet me protesta, ngritje zëri dhe grushti, qoftë ky i fundit edhe grusht boksieri. Ky fenomen tashmë është bërë galopant dhe me një stazh 35 vjeçar. Për më tepër, ai nuk është një fenomen i një grupi individësh, të cilët mund të izolohen, të çarmatosen e të eleminohen në këtë “profesion” antiqytetar. Fenomeni i krimit e i korrupsionit ka mbërthyer vetë shtetin me tre pushtetet e tij: Legjislativin, Ekzekutivin dhe Gjyqësorin. Por para se të vijojmë me shkaqet e këtij krimi e korrupsioni galopant, që ka mbërthyer shtetin dhe shoqërinë, po afishoi këtu më poshtë një letër të shkruar për të riun vrasës të gjykatësit, nga shoku i tij i gjimnazit:
Autori i letrës, ish shoku i gjimnazit “Atë Pjetër Meshkalla” në Shkodër, shkruan:
“Ti nuk je vrasës, Elvis! Vrasës ishte padrejtësia. Vrasës ishin dosjet e humbura në gjykatat ku duhet të gjendej drejtësia. Vrasës ishin seancat e shumta gjyqësore që s’kishin kurrë fund. Vrasës ishin institucionet që ju futën në një konflikt pa kthim. Vrasëse ishte fëmijëria jote e palumtur, kur shikoje familjen tënde tek endet dyerve të gjykatave duke kërkuar atë që ishte e tyre — drejtësinë. Ti, Elvis, linde pronar, por jetove me qera, sepse pronën tënde e gëzonin të tjerë. Madje disa kishin ndërtuar shtëpitë e tyre mbi tokën tënde, e madje e jepnin edhe me qira. Ti s’kishe mundësi të paguaje as qeranë, Elvis. Ty të rriti gjyshi nga nëna, bashkë me motrën tënde, me shumë mund, me shumë sakrificë. Ai të çoi në shkollat më të mira të Shkodrës. Ti ishe ai studenti i qetë dhe i ndrojtur në bankën e “Atë Pjetër Meshkallës”, që nuk visheshe me rroba firmato, por gjithmonë me rroba të pastra. Një nga nxënësit më të mirë të gjimnazit tonë. Ti u diplomove për drejtësi, por pikërisht ajo drejtësi të mori peng rininë. Ti nuk je vrasës, Elvis. Zoti qoftë me ty! E paç të gjatë jetën, o djalë! Të duam dhe të mbështesim fort”.
Shkodër, 07/10/2025
. . .
“Ti nuk je vrasës, Elvis, vrasës është padrejtësia!”- është thelbi i përmbajtjes së letrës. Dhe jo një padrejtësi e një rasti, por një padrejtësi totale në 35 vjet “demokraci borgjeze” të aplikuar me dhunë e gënjeshtra në vendin tonë.
Në sistemin borgjez–kapitalist, të cilin tashmë e kemi provuar dhe po e provojmë drejtpësëdrejti mbi kurriz, krimi, korrupsioni e padrejtësia, nuk vjen nga baza, por nga superstruktura. Veçanërisht në “demokracinë tonë hibride”, kjo duket sheshit. Ato nisin nga ligjet e hartuara nga lart, të cilët janë gjithnjë në favor të superstrukturës, dhe asnjëherë në dobi të qytetarëve, të popullit. Mjafton të kujtojmë ”stacionet” kryesore të krimit e korrupsionit të organizuar e realizuar nga politikanët, pushtetarët dhe struktura e tyre shtetërore e këtyre tri dekadave e gjysëm, për t’u bindur se ku ngjizet padrejtësia, e cila përplaset mbi qytetarët, mbi popullin, me gjithë pasojat e saj degraduese. Autorë të kësaj “ngjizjeje” në superstrukturë të krimit e korrupsionit, kanë qenë e janë dy partitë kryesore, që kanë dominuar politikën dhe shtetin, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Nëse shteti ynë i vetquajtur “demokratik”, do të kishte patur qoftë dhe një demokraci latente, këto subjekte politike PD e PS, për “rezultatet e korruna” gjatë këtyre tri dekadave e gjysëm të mbretërimit të tyre, duheshin nxjerrë jashtë ligjit, ndërsa liderët e tyre kryesorë të kalonin për vite të tëra prapa hekurave të burgut. Por ka ndodhur e kundërta. Këto subjekte politike, e liderët e tyre, gjenden ende në krye të politikës e të pushtetit, duke na u zgërdhi si një kopil qikllopi të përrallave të hershme. Të njëjtat subjekte politike e të njëjtët liderë të tyre, jo njëherë kapërcyen si akrobatë të cirkut mbi krimet e tyre, e madje edhe duke i thurur vetes aureola fitoresh në “arritjen” e sukseseve , nga më të rrallat në historinë e vendit tonë. Me shkopin e kërcimit së larti, ata kapërcyen mbi gjëmat e ’97-tës, të ’98-tës, të Gërdecit, të 21 Janarit, katër pikat kulmore të krimit e korrupsionit, mbi të cilat u ngritën “shinat”, ku kalon pa frikë e pa sëkëlldi “treni” gërmadhë i politikës dhe pushtetit të tyre inekzistent. Këtë aftësi prej atleti, ua kanë mbështetur e perfeksionuar gjithnjë, dy nga miqtë “më të besuar” të shqiptarëve, njëri mik qysh nga mesjeta e vonshme, e tjetri nga kohët moderne, të cilët ne sot i ndërlidhim me një emërtim të përbashkët “Euroatllantikë”. Duke patur garant këta dy “miq të lashtë e të rinj”, politikanët dhe shtetarët e PD-PS-së, as që e kanë vrarë mendjen për të ngritur një shtet të vërtetë ligjor e demokratik, por kanë synuar mufatjen e xhepave me pasuritë e popullit, duke e lënë “shtetin” në pikë të hallit, e në atë shkallë, sa ta godasin edhe kur ai han përshesh në sahanin që i kanë dhuruar miqtë e përtej detit. Për të mos folur pastaj për detyrimin e këtij shteti të mbrojë popullin dhe vendin, për të cilët është ngritur dhe paguhet me taksat e tij.
Në një shtet, i çfardo forme e sistemi qoftë, kur abuzon, korrupsionohet e kriminalizohet kasta e lartë e politikës dhe e pushtetit, atëhere sëmundjet në fjalë shtrihen në gjithë organizmin e shtetit, duke e rrëzuar atë përtokë. Kjo tashmë ka ndodhur me shtetin tonë.
Një nga deputetët fitues të zgjedhjeve të 15 majit, një ish gjykatës me emër të “dallueshëm” në lëmin e korrupsionit si gjyqtar, në një prononcim për mediat, midis të tjerave deklaroi se: “Me ngjarjen e fundit (atë të vrasjes së gjykatësit të Apelit), shteti ka rënë”!
Në përgjigje të kësaj “deklarate” të ish gjyqtarit, që ka fituar tashme pozicionin e deputetit, artisti i Teatrit dhe Kinematografisë shqiptare, Astrit Çerma, në faqen e tij të FB ia kthen: “Po, vërtet, shteti ka rënë, qysh atë ditë që ju shk..dhatë si ti, nuk u fut në burg, por u bë deputet”!
Përgjigja është e saktë, por duhet shtuar se realisht shteti shqiptar më së pari, prej 35 viteve nuk është ngritur asnjëherë në këmbë, por është zvarritur baltës së krimit e korrupsionit. Që të bjeri jo vetëm figurativisht, duhet shembur e nxjerrë lakuriq para popullit, së bashku me ata që kanë qenë në krye e në drejtimin e këtij shteti neofashist, duke dhënë llogari për gjithë korrupsionin dhe krimin që i beditët popullit dhe vendit, në vend të “demokracisë”, të cilën e premtoni sa herë ka zgjedhje, por sapo mbërtheni karriken pushtetore, ia ktheni me batuta bullizmi, e veprime të padëgjuara në faqe të tokës.
I revolutuar si çdo qytetar për situatën që keni krijuar, nuk mund të rri pa ripërsëritur faktin se populli nuk mund të buallizohet dhe të trajtohet si kope delesh. Populli është i madh e i gjërë si deti. Ai nuk është një përrua i vetëm malor, që i zemëruar nga ndonjë rrëké shiu, godet të parin që takon rrugës, duke dëmtuar edhe rrjedhjen e tij të zakonshme. Populli, ashtu si dhe deti, fryhet e lëviz ngadalë, dhe kur i vjen ora, apo kur i soset durimi, shpërthen me dallgë të hatashme, duke përlarë gjithçka që gjen përpara.
Kujdes pra, ju pashallarë modernë, “shërbëtorë të një barku të panginjur”, mercenarë të një sistemi të padrejtë e shfrytëzues, me emrin kapitalizëm: Durimi i shqiptarëve po soset. Ata do ta gjejnë mënyrën dhe udhëheqësin e tyre të vërtetë, dhe do të ngrihen në revoltë me grushtin e tyre dërmues për farën tuaj të zezë.
Në mbyllje përsëris thirrjen e shokut tim T.C., të cilën e vura në krye të shkrimit:
ZOTËRINJ POLITIKANË E SHTETARË: MOS E DETYRONI POPULLIN TË RRËMBEJË PUSHKËN! . . . .


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
