-Gazeta SOT, 12 Dhjetor 2024-
Me datën 9 Dhjetor 2024, në një ceremoni të zhvilluar në Departamentin e Shtetit të SHBA, ku morën pjesë zyrtarë të lartë amerikanë, Sekretari i shtetit, Blinken, dekoroi Kryeprokurorin shqiptar të SPAK-ut, Altin Dumanin, “për punën e shkëlqyer që ai ka bërë në goditjen e politikanëve të lartë, por edhe të grupeve të rëndësishme kriminale, duke bërë një punë të jashtëzakonshme, dhe duke u evidentuar si një nga njerëzit më të besueshëm në krye të institucionit më të besueshëm në Shqipëri”.
Për ata që nuk jetojnë në vendin tonë, apo që nuk dinë hollësira për “ecurinë” e krimit e të korrupsionit në Shqipëri, motivacioni i dekoratës së Blinkenit amerikan, për kryeprokurorin e SPAK-ut shqiptar, është disi i pranueshëm. “Nga hiçja, birçja”, perifrazon labi. Krahasuar me vitet e shkuara, ku korrupsioni ishte në ditët e tij më të mira, sot Dumani me shokët e SPAK-ut e kanë gërvishtur paksa piramidën “Keopsiane” të korrupsionit. Themi e kanë “gërvishtur paksa”, sepse piramida në fjalë vijon të qëndrojë “madhështore” përmidis demokracisë 34 vjeçare shqiptare, në oborrin dhe zyrat e shtetit të vetëquajtur ligjor e demokratik, dhe në sy të “demokracisë euroatllantike”, aq shumë të reklamuar.
Është e vërtetë se brenda dyerve të burgut, apo në prag të tij gjatë këtyre 5-6 viteve nga krijimi i SPAK-ut e gjer më sot, kanë përfunduar dhjetra pushtetarë e shtetarë të rangjeve të ndryshme, që nisin nga deputetë, kryetar Bashkish, zëvendës ministra, zëvendës kryeministra, e madje kohët e fundit edhe një president, por të gjithë këta personazhe të burgosur apo kandidatë për burgun, kanë përpara parashtesën “ish”. Asnjë nuk është ndaluar, arrestuar, gjykuar apo dënuar, duke qenë aktiv në detyrë, por pasi janë shtrydhur si limon-korrupsioni, e janë bërë “isha”. Shifra e këtyre ish pushtetarëve, shtetarëve, deputetëve apo zyrtarëve të rangjeve më të ulta, mund të përbëjë një kabinet qeveritar, një administratë të plotë Bashkie të rangut të parë, apo dhe një listë të plotë deputetësh të parlamentit, çka si volum shifrash Dumani ynë dhe i dekoruari juaj, ka të drejtën e rekordmenit në fushën e luftës kundër krimit e korrupsionit. Por po ta shikojmë nga cilësia e dënimeve, len shumë për të dëshiruar. Dënimi më maksimal për korrupsion i këtyre shtetarëve e pushtetarëve, nuk e kalon shifrën e katër – pesë viteve, të cilat falë “gjykimit të shkurtuar”, kthehen në dy apo tri vite, e madje disa edhe “në vite prove në komunitet”, apo në arrest shtëpiak, për të mbajtur fëmijët e vegjël, sepse gruas së tij i dhëmb koka . . . E njëjta “ndërkëmbje” edhe për pasuritë e fituara me korrupsion, ku “konfiskimi” në shumicën dërmuese të rasteve, zëvendësohet me “sekuestron”. Kaq bajate janë bërë këto dënime për peshën e tyre ligjore, sa plot qytetarë shprehen hapur, duke thënë se jemi gati të shkojmë 3 apo katër vjet në burg, nëse më japin 1 milion euro, dhe nuk m’i konfiskojnë, por m’i mbajnë në “sekuestro”, gjer sa të mbaroj tre vitet e burgut. . . .
I nderuar sekretari Blinken, populli ynë ka një fjalë të thjeshtë por të vërtetë, e cila thotë: “Siç duken bathët, qenkan larg Pashkët”! Me këtë ecuri e ritëm të SPAK-ut, si me Dumanin, që ju keni dekoruar, dhe me “dumanë” të tjerë që do të sjellë koha nesër e pasnesër, krimi e korrupsioni në vendin tonë, do të mbetet në krye të “agjendës” ditore, mujore e vjetore, e ndoshta edhe shekullore. Kjo sepse, ndërsa SPAK-u ecën me hapin e breshkës, krimi e korrupsioni vrapojnë me revanin e kalit. Në këtë rast, përralla e “lepurit me breshkën” nuk ngjiz kërkund. Nëse SPAK-u dënon një korrupsionist të nivelit të thjeshtë e gjer mesatar, Krye-korrupsionisti atje lart, e zëvendëson menjëherë me dhjetë korrupsionistë të rinj. Kjo na tregon se ndëshkimi i plotë i krimit dhe korrupsionit do të ndodhë në “epokën e re”, e cila nuk dihet se kur do të vijë, por kurrësesi në epokën e sistemit tuaj (e tonën) kapitalist.
Piramida e korrupsionit në Shqipëri, e themi pa frikë se gabojmë, është më e madhe se Piramida e Keopsit të Egjiptit. Kjo piramidë gjigande, edhe po të ketë vullnet të plotë politik, dhe angazhim të sinqertë e të vendosur të SPAK-ut me infrastrukturën e tij, nuk mund të shembet, duke e ngacmuar nga poshtë. Ajo, mund dhe duhet shembur duke nisur nga çatia (kubeja) e saj. Dhe kubeja e saj janë politikanët dhe shtetarët kryesorë, që kanë drejtuar vendin në këto 34 vjet të demokracisë sonë pa demokraci. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë për dy arsye anësore dhe një arsye themelore. Dy të parat mund ti quajmë arsye subjektive, sepse lidhen me personazhe të njohura, ndërsa ajo e treta, ajo themelorja lidhet me sistemin politik që në sajën tuaj ne aplikojmë prej 34 vitesh. Le t’i sqarojmë më hollë këto tri arsye:
Së pari: Sado i zoti dhe i shkëlqyer të jetë prokuror Dumani, çapi i tij nuk mund të shtrihet gjer tek kokat e politikës e të shtetit, autorët kryesorë dhe origjinalë të korrupsionit. Nëse e provon të tregohet “trim”, rrezikon të përsërisë Falkonen e komshiut matanë Adriaitkut. Mirëpo Dumani, nuk besoj ta pranojë këtë rol të rrezikshëm. Së dyti, që është dhe më kryesorja e që lidhet me të parën, Dumani dhe organet e SPAK-ut, nuk janë vërtet të pavarura. Ata varen nga politika, nga pushteti, nga ndërkombëtarët dhe nga vetë korrupsioni. Fakti që deri tani “pré” e SPAK-ut, janë bërë vetëm “ishat” dhe jo “bishat” e vërtetë, tregon se SPAK-u vepron sipas një regjizure të përcaktuar nga instancat e larta të politikës e të pushtetit.
Arsyeja e tretë është arsye objektive, që nuk varet as nga SPAK-u e as nga politikanët e pushtetarët shqiptarë. Kjo arsye e ka “selinë” përtej detit tonë, tek baballarët e “demokracisë euroatllantikase”. Për argumentimin e kësaj “akuze”, unë do të sjell vetëm një shembull: Ndonëse shumica e qytetarëve shqiptarë priste me vite që ish Presidenti e ish Kryeministri Berisha të përfundonte pas hekurave të burgut, për katër gjëmat madhore ndaj popullit shqiptar, gjëmën e ’97-tës, të ’98-tës, të Gërdecit dhe të 21 janarit 2011, SPAK-u, i krijuar, instruktuar e i financuar ngë SHBA, e çoi në arrest shtëpie për disa metra troje të klubit sportiv Partizani, dhe pasi e la të ligjërojë për 11 muaj rrjesht nga ballkoni i “shpresës” i shtëpisë së tij, e nxori të lirë që të vijojë më tej veprimtarinë antipopullore e antikombëtare, të cilën e pati nisur 34 vite më parë. Skenën e lojës me “arrest shtëpiak” dhe ligjërim nga “ballkoni i shpresës”, ju zoti Blinken e keni parë me sytë tuaj, atë ditë që u ndodhët në Tiranë, duke falenderuar liderin e “shkëlqyer” Edi Rama, por nuk bëzajtët asnjë gjysëm fjale. Edhe lirimin e Berishës, ju besoj e keni marrë vesh, por përsëri nuk bëzajtët, ndonëse jeni personi i drejtpërdrejtë i shpalljes “nongrata” të tij.
Zoti Blinken, jo vetëm unë qytetari i thjeshtë, por edhe politikanë e analistë profesionistë, kanë patur njëfarë iluzioni se SPAK-u, i krijuar, instruktuar dhe sponsorizuar nga ju, do ta dërmonte krimin dhe korrupsionin në vendin tonë, dhe do të vendoste drejtësinë e vërtetë. Por ky iluzion tashmë ka rënë në batak. Me asnjë SPAK, ju nuk mund të dënoni krimin e korrupsionin në vendin tonë, sepse po të ndodhte kjo, atëherë do të dilnin në shesh edhe “duart” apo “këmbët” tuaja e të shokëve tuaj, ngatërruar në gjalmat e këtij krimi e korrupsioni, që shqiptarët nuk e kishin njohur e përjetuar në këto permasa të tanishme. Dhe akoma më keq, dënimi gjer në fund i krimit dhe korrupsionit galopant, do të nxirrte nokdaun edhe sistemin kapitalist që ju na imponuat, i cili kurrsesi nuk mund të vendosë drejtësi të vërtetë. Sistemi që ju ndërtoni prej shekujsh, e ne prej tri dekadave e gjysëm, është ngritur mbi krimin dhe korrupsionin, dy “vajrat” lubrifikantë që mbajnë në jetë dhe gjenerojnë atë. Asnjë lloj SPAK-u, asnjë lloj trupe speciale apo e jashtëzakonshme gjyqësore qoftë, nuk mund ta luftojnë gjer në fund krimin e korrupsionin në një sistem borgjez – kapitalist.
Këtë tashmë e kanë kuptuar edhe shqiptarët, ndaj ata, siç citoj edhe në krye, nuk presin “dekoratë” për Dumanin, por “mandatë” për krimin e korrupsionin. Për fat të keq, një pritje e kotë, që nuk bën gjë tjetër, vetëm zgjat pa fund iluzionin për drejtësi nga padrejtësia.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!